Tre vjet pasi tentoi vetëdjegien me benzinë, banesa i kthehet mbesës së presidentit Nishani.
Ekzekutimi i aktit normativ për kthimin e banesave ish-pronarëve, ka çuar në përplasje të 63 vjeçarit Isuf Gjilani me forcat e policisë së shtetit dhe përmbaruesit.
Rreth orës 11 të paradites forca të shumta të policisë dhe përmbarues kanë shkuar në lagjen numër 4 në Durrës, pranë tregut të valutës, për të ekzekutuar vendimin që nxjerr nga banesa ku ishin strehuar dekada më parë, Gjilanin dhe familjen e vëllait të tij.
Gjilani nuk ka dalë nga banesa duke u ngujuar brenda së bashku me vëllain e tij Ilmiun, i cili vuan nga një sëmundje psikike. Por forcat e policisë e përmbaruesit bënë që të hapej dera me dhunë e të dilte prej andej familja Gjilani.
Motra e Isuf e Ilmi Gjilanit tha se para tre vjetësh shteti ishte tërhequr nga vendimi për ta nxjerrë jashtë muzikantin dhe familjen e tij, por nuk e kishin lënë me kaq dhe kërkuan boshatisjen e banesës. Pavarësisht se në proces gjyqësor, muzikanti e familja e tij janë hedhur në rrugë të madhe.
K.H.





