Luhet sot sfida e tretë për Kombëtare Shqiptare në Euro 2016. Edhe pse shanset janë të pakta, kjo sfidë është shndërruar në një çështje krenarie, për të shënuar të paktën një gol në këtë kampionat, e pse jo edhe për të fituar.
Por kujt lojtarëve do t’i besojë De Biazi? Në portë do jetë sërish Etrit Berisha, në mbrojtje është katërshja e zakonshme: Elseid Hysaj në të djathtë, Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj në qendër, si dhe Ansi Agolli në të majtë.
Në mesfushë do të luajë në rolin e organizatorit Migjen Basha, ndërsa në qendër do të jenë gjithashtu Ledian Memushaj dhe Amir Abrashi.
Nga krahët do të luajnë Andi Lila dhe Ermir Lenjani, ashtu si kundër Francës. Në seancën e fundit, lojtarët janë shfaqur të përkushtuar, teksa gjithçka i është kushtuar anës taktike. Edhe pse De Biazi është munduar të përziejë kartat, sërish është lënë të kuptohet për ata që sot do të zbresin në fushë.
Pas 2 ndeshjeve të para, Shqipëria ndodhet në vendin e fundit në grup me 0 pikë dhe ndaj Rumanisë do t’i duhet të fitojë me një diferencë të madhe golash për të pasur shpresë për kualifikim në raundin tjetër si një prej 4 ekipeve të treta më të mira në grupe.
Nga ana tjetër rumunët duan patjetër një fitore ndaj kuqezinjve për të pasur të sigurt kalimin e grupit. E përditshme rumune “Blick” shkruan se futbollistët rumunë do të shpërblehen me 2,5 milionë euro nëse fitojnë ndaj Shqipërisë.





