Pas aludimeve në media se i arrestuari Bedri Haka, i dyshuari si autor i vrasjes së biznesmenit nga Durrësi Leonard Murati, është shpallur i pafajshëm, duke iu referuar citimeve të avokatit të tij mbrojtës, ka reaguar policia e Durrësit.

Në një njoftim të shpërndarë për mediet, policia sqaron se “Ndalimi i shtetasit të mësipërm është bërë më datë 18.06.2016 nga ana e Specialistëve të Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, me qëllim ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës Nr. 1014, datë 23.11.2014, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest ne burg” në ngarkim të B.Hakës, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar në nenet 78/1 dhe 278/2 të Kodit Penal”.

Policia thekson se nuk është njohur me asnjë vendim që rrëzon masën e Gjykatës së Shkallës së parë Durrës Nr. 1014, datë 23.11.2014.

“Në momentin e parë që do të njihemi me një vendim tjetër, do të zbatohet vendimi siç e parashikon ligji”, thuhet në reagimin e policisë.