Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, deputetja socialiste e Durrësit, Esmeralda Shkjau, ka shtruar një darkë iftari të premten  në një lokal pranë bregdetit me rreth 100 të ftuar.

Përfaqësues të ambasadave, biznesit, organizatave humanitare, komuniteteve të ndryshme fetare, familjarë, miq e të afërm ishin pjesë e kësaj darke që u organizua nën kujdesin e deputetes dhe me mbështetjen e bashkisë së Durrësit.

Edhe vetë qytetari numër një i Durrësit, Vangjush Dako, i shoqëruar nga deputetet Evis Kushi dhe Klodiana Spahiu, si dhe Luan Zaza, kreu i socialistëve të qytetit bregdetar, ishin gjithashtu të pranishëm.

Vlen të theksohet se në këtë darkë, veç përfaqësuesve të Xhamisë e Komunitetit Mysliman, ishin po ashtu edhe ata të komuniteteve të tjera fetare në vendin tonë, çka dëshmon dhe një herë më së miri harmoninë, respektin dhe tolerancën fetare në Shqipëri.

“Të gjitha organizimet e rasteve të ndryshme fetare janë një arsye për të qenë bashkë me ndjenjën e respektit për çdo religjion që është në emrin e mirësisë dhe vëllazërisë mes njëri-tjetrit”, thotë Shkjau.

Esmeralda Shkjau është e vetmja deputete shqiptare, e cila agjëron prej 12 vitesh çdo ditë të këtij muaji të shenjtë.

(Fotot e realizuara nga Henri Koci)