“Kur na vdisnin pacientët, ne merrnim pjesë në varrim, e me të afërmit e tyre ishim bërë miq, që më pas u shkonim edhe në dasma, gëzime e hidhërime që kish familja. Vdekjet janë të rënda, e sidomos kur pacientët kanë vuajtur shumë. Ne përpiqemi që me shërbimin infermieror të kujdesemi për të kryer të gjitha mjekimet, me shërbimin e psikologut, të lehtësojmë gjendjen shpirtërore të pacientit që vuan nga sëmundjet tumorale, e ta përballojnë fundin me dinjitet. Përpiqemi që si ekip mjekësor t’u jemi pranë këtyre pacientëve që kalojnë dhimbje të mëdha”.

Dhe kur punën e bën me shumë përkushtim, nuk është habi, që të lësh më pak vëmendje për familjen. Paralelisht operon me shoqatat e ndryshme humanitare për t’u ardhur në ndihmë familjeve dhe këtyre pacientëve që duke u trajtuar nga kanceri, kanë shpenzuar të gjitha të ardhurat e tyre financiare.

Është mjeku Kristaq Huta, i cili njeh edhe varret ku prehen pacientët e tij, të cilëve u ka lehtësuar dhimbjet e plagëve të sëmundjes e të shpirtit.

Prej 20 vjetësh, doktor Kristaqi njihet nga mijëra familje në Durrës, për humanizmin që ka treguar ndaj të gjithë pacientëve në fundin e jetës së tyre. Është president i shoqatës “Ryder Albania”, që operon në Durrës, dhe ka trajtuar rreth 4 mijë pacientë të prekur nga kjo sëmundje, të cilët nuk jetojnë më midis nesh. 68 pacientë të moshave të ndryshme, kanë humbur jetën vetëm këtë vit. Këtu pacientët drejtohen për të marrë ato shërbime që nuk mund t`i gjejnë askund, e për të lehtësuar dhimbjet e mëdha fizike e shpirtërore, për të cilat, nuk ka klinika në Shqipëri, por dhe nëse ka, janë të papërballueshme kostot e trajtimit për pacientët e kujdesit paliativ, në stadet terminale.

Është prind i dy fëmijëve të rritur, një vajze e një djali, të diplomuar, e bashkëshort i mirë. Si i ka arritur t’i bëjë të gjitha këto? Së fundi, ekipi që ai drejton është duke mbështetur dy vajza binjake , Suada dhe Sueda, 10-vjeçare,nxënëse të shkëlqyera në shkollën e Kënetës, të cilat kanë lindur me një sëmundje të rëndë e të pashërueshme. Vajzat nuk mund të ecin sepse kockat e tyre thyhen nëse qëndrojnë në këmbë. “Kur shikon vogëlushë duke vuajtur, përpiqemi t’ua bëjmë jetën më të mirë, me çfarë të mundemi, me shërbim infermieror, psikologjik, humanitar, financiar. Të gjithë jemi të përfshirë me to”, pohon doktori.

Por si funksionon “Ryder Albania”? Çfarë ofron kjo klinikë në Durrës për këta të sëmurë?

Pse janë përhapur në masë sëmundjet kanceroze?

Me çfarë barnash kurohen këta të sëmurë? Pse një pjesë e barnave nuk janë në listën e rimbursueshme nga shteti?

Çfarë gjurme kanë lënë pacientët në jetën e mjekut?

Çfarë po bëhet për ligjin e kujdesit paliativ?

Çfarë ka lënë gjurmë në jetën e mjekut?

Për të gjitha këto, ndjekim intervistën e mëposhtme.

K.H.