Kryetari i PD-së Lulzim Basha e quan provokim dërgimin në Kuvend të draftit të ndryshimeve kushtetuese të firmosur nga 33 deputetë të maxhorancës.
Në një reagim në “Facebook”, Basha ky është një akt i ulët provokimi dhe një përshkallëzim i krizës dhe tensionit shoqëror në vend.
“I verbuar nga krimet dhe korrupsioni 3-vjeçar, Edi Rama kërkon kapjen me çdo kusht të drejtësisë për të garantuar paprekshmërinë e tij dhe të bandës që e rrethon. Kjo manovër do dështojë me turp.
Çdo tentativë për të trafikuar qoftë dhe një mandat të vetëm opozitar me paratë e pista të drogës dhe krimit qeveritar do të rezultojë në djegien e mandateve opozitare si hapi i parë drejt përvëlimit të parlamentit ilegjitim që do të jetë edhe përgjigjja e merituar e popullit ndaj një qeverie që i hap atij luftë, me çdo mjet që siguron fuqia e padiskutueshme e sovranit”, thotë Basha.
Për kreun e demokratëve, rruga e vetme për një reformë në drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin, është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.





