Policia e Vlorës ka arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar si autor të plagosjes me armë zjarri në një pikë bastesh sportive në këtë qytet katër ditë më parë.
I arrestuari është 36-vjeçari Elton Zotaj, banues në Vlorë. Dyshohet se Zotaj së bashku me Edmond Maskajn, kanë plagosur me pistoletë në këmbë 37-vjeçarin me inicialet Rr.M.
Për këtë ngjarje, policia arrestoi në flagrancë Maskajn si dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale pistoletën tip “Glock”, të cilën e kishte ai në posedim.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Akuza ndaj dy të arrestuarve është ajo e plagosjes së rëndë me dashje dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve.





