Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe Ambasadori Italian në Shqipëri Alberto Cutillo kanë nënshkruar sot Marrëveshjen për Fazën e dytë të Programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit.

Marrëveshja e Konvertimit të Borxhit për Zhvillim parashikon mospagimin e detyrimeve që Republika e Shqipërisë i detyrohet Qeverisë Italiane kundrejt borxhit të huazuar prej kësaj të fundit (interes + principal), deri në shumën 20 milionë euro. Këto shuma do të depozitohen në 9 këste, në një Llogari Fondi Kundërparti pranë Bankës së Shqipërisë.

Fondi prej 20 milionë euro do të shkojë për financimin e projekteve në fusha të ndryshme si përmirësimi infrastrukturës, shëndetësi, arsim, projekte të zhvillimit rajonal, etj, duke pasur në fokus tre objektiva kryesorë: rritjen e qëndrueshme të vendit përmes përmirësimit të konektivitetit dhe përdorimit më të mirë të burimeve; kohezioni social dhe formimi profesional; shteti i së drejtës dhe garantimi i demokracisë sociale.

“Në fazën e parë të Programit, IADSA 1, janë financuar gjithsej 42 projekte për një vlerë totale prej 15,6 milionë euro. 14 projekte janë përfunduar me sukses dhe janë mbyllur nga ana financiare. 17 projekte janë duke u zbatuar, ndërsa 11 projektet e thirrjes së katërt (maj 2016) janë në fazën e tyre fillestare, që nëse i mbani mend ne i lançuam një muaj më parë. Projektet janë zbatuar në mënyrë koherente në pothuajse të gjitha zonat e Shqipërisë dhe kanë prekur sektorët parësor në fushën sociale, si parashikohet edhe në vetë filozofinë e programit”, u shpreh Ministri Ahmetaj.

“Edhe në fazën e dytë, atë që po fillojmë sot, programi do të jetë i orientuar në financimin e projekteve të identifikuara bashkërisht nga palët nëpërmjet thirrjeve periodike për propozime, të cilat synojnë të investojnë në zhvillimin e burimeve njerëzore, punësimit, nxitjen e barazisë gjinore, nxitjen e përfshirjes sociale me një vëmendje të veçantë ndaj të papunësuarve të rinj, gratë në nevojë, minoritetet e njerëzit me paaftësi, si dhe mbështetjen e mbrojtjes sociale për grupet e rrezikuara, në një kontekst të verifikueshëm të pjesëmarrjes sociale dhe përdorimit të qëndrueshëm të burimeve mjedisore”, theksoi Ministri.