27-vjeçari që u përplas me motor orët e vona të natës të së enjtes në Durrës, fatkeqësisht ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Shtetasi me iniciale E.S., me detyrë oficer policie në Komisariatin e Policisë së Durrësit, ishte në shërbim në momentin kur ndodhi aksidenti. Ai po patrullonte me motor së bashku me një kolegun e tij, të cilët kishin marrë turnin e tretë, në shërbim të qytetarëve për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Policia tha se 27-vjeçari po drejtonte mjetin motor tip Dukati me targa JTB-214 mbi 1.000 cc, kur ka goditur barrierat prej hekuri të vendosura në rrugë për shkak të punimeve që po bëheshin. Më pas, ai ka humbur kontrollin dhe ka goditur një mjet tip Citroen veturë me targa AA 037 NS, i parkuar në anë të rrugës.
Përplasja rezultoi e fuqishme dhe plagët e marra e kanë lënë në gjendje kome efektivin e ri, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë. Familjarë, kolegë të shumtë të tij, miq e të afërm ndodhen në ambientet e spitalit dhe luten që 27-vjeçari të shpëtojë.
E gjithë rruga “Aleksandër Goga” deri në Spitallë është çarë në kuadër të punimeve për shtrimin e rrjetit të ri elektrik, duke ngushtuar kështu karrexhatën dhe vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Drejtuesit e automjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm, sidomos gjatë natës, pasi kanali mund të përbëjë burim të rrezikshëm aksidenti, siç ndodhi në rastin e efektivit 27-vjeçar.
(Fotot më poshtë, nga punimet përgjatë rrugës “Aleksandër Goga”)





