Rreth 42.400 maturantë do të zhvillojnë sot provimin e Matematikës. Ky provim, që është dhe i treti në kuadër të Maturës Shtetërore përmbyll provimet e këtij cikli.

Provimi do të zhvillohet në 201 qendra në të gjithë vendin. Zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj, deklaroi se MAS dhe institucionet e varësisë kanë marrë të gjitha masat për menaxhimin dhe zhvillimin korrekt të procesit të provimit, nga fillimi deri në mbylljen e tij.

Malaj bëri me dije se do të ketë tri formate testesh, për gjimnazin e përgjithshëm, testi për arsimin profesional dhe testi i matematikës për gjuhët e huaja. Provimi është i ndërtuar me 25 pyetje, ku 13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim.

Rregullat e provimit:

-Provimi do të fillojë në orën 10.00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.

-Maturanti paraqitet në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit.

-Maturanti duhet të ketë me vete vetëm dokumentin e identifikimit dhe stilolaps.

-Maturanti plotëson testin vetëm me stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe në pyetjet me alternativa rrethon vetëm alternativën e saktë.

-Maturanti përjashtohet automatikisht nga provimi nëse mban me vete celular apo çdo mjet tjetër komunikimi në mjediset e provimit.

-Maturanti nuk duhet të dëmtojë kodin e sekretimit të testit, apo të vendosë mbi të shenja të dallueshme dhe të veçanta.

-Maturantëve me aftësi të kufizuara do t’u krijohen kushtet e përshtatshme për zhvillimin e provimit.

-Maturantët që dorëzojnë testin përpara kohës së mbarimit të provimit, nuk largohen nga qendra e provimit.

Maturanti nuk mund të:

a) ndryshojë vendin e caktuar;

b) komunikojë apo të japë informacion me maturantët e tjerë;

c) refuzojë kontrollin nga ana e administratorëve.