*Çmimet bien në minimumin historik të tyre

Konsumatori durrsak është zgjuar, është sensibilizuar dhe nuk mund të “gënjehet” më as nga ngjyra e kuqe e theksuar e lëkurës së domates, as madhësia e shkëlqimi i fruta e perimeve, që me çmime shumë të ulëta kanë përmbytur tregun e përditshëm të fruta – perimeve në Durrës.  

Një situatë sa groteske dhe dramatike, me pasoja të rënda në shëndetin e popullatës së gjerë ndodh çdo ditë, në jetët tona, në sy të të gjithë strukturave të shtetit, përgjegjëse për kontrollin e cilësinë e produkteve që konsumojmë.

Qytetarët në treg pas përhapjes së gjerë të sëmundjeve të rënda e sensibilizimit se shkak janë produktet ushqimore që konsumojnë, përzgjedhin në masë të madhe, ose i braktisin krejtësisht ato produkte që vijnë me çmim shumë të ulët dhe të zmadhuara në mënyrë artificiale.  

Në prononcimet e dhëna për “DurrësLajm”, qytetarët shprehen se janë të detyruar të konsumojnë, por jo rrallëherë iu ndodh që produktet që ata blejnë, i hedhin në plehra, për shkak se janë të pakonsumueshme.

Kjo ka bërë që të jenë përzgjedhës në produktet që kërkojnë, por produkti bio mungon në treg.

“Produkti bio mungon, përpiqemi ta gjejmë te fermerët. Por në këtë stinë produktet e tokës ose bio ende nuk janë pjekur”.

Ndjekim prononcimet dhe apelin e konsumatorëve.

K.H.