Dy prej besimtareve të cilat morën djegie të rënda në trup nga aksidenti i 3 javëve më parë në qytetin e Krujës, kanë ndërruar jetë mesditën e kësaj të mërkure.

Kisha e Shën Theodhorit Vlorë njofton se kanë humbur jetën dy nga katër të plagosurat që ishin dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Athinës, duke e çuar kështu në tre numrin e viktimave nga kjo ngjarje.

“Me dhimbje të madhe, ju njoftojmë se ndërruan jetë edhe dy nga besimtaret që ndodheshin në autobusin që u përfshi nga flakët në qytetin e Krujës, zonjat Viktoria Dhiamandi Moçka dhe Sose Labaj. Ju ftojmë në lutje që Perëndia t’i prehë shpirtrat e tyre në paqe dhe familjarëve t’u japë forcë e ngushëllim. I përjetshëm kujtimi i tyre”!

Nga djegia e autobusit mbetën të plagosur 12 persona, ndërsa u dogj e gjallë pasagjerja që ishte ulur në fund të autobusit, Violeta Gjika, 65 vjeçe, e cila nuk arriti të dilte në kohë jashtë.