Pas nisjes së hetimit për gjyqtarin Arjan Aliaj,ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha. Ai e cilëson këtë akt si një hakmarrje gangsterësh.
Sipas Berishës, Edi Rama nëpërmjet policisë merr kompetencat e KLD-së dhe të Prokurorisë së Shtetit.
Berisha thotë ngarkimi i policisë për të hetuar vendime të gjykatave është akt bandidesk.
Reagimi i plotë i Berishës:
Edvin Shullazi nis kontrollin antiligjor, kriminal e policesk ndaj gjyqtarit Aliaj! Ai me mercenare me uniformë merr pushtetin e KLD, Prokurorisë së shtetit dhe ILDKP, konsumon kështu grushtin e shtetit brenda shtetit.
Të dashur miq, mediat sapo njoftuan se, me urdhër të Edvin Shullazit, Drejtoria e Krimit Ekonomik të Policisë ka filluar hetimet ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj për kontrollin e pasurisë së tij dhe për vendimet e dhëna nga ai në çështje pronash, bazuar në ankesat e qytetarëve. Duke mbështetur hetimin e cilitdo zyrtar, pa përjashtim, në përputhje me ligjin dënoj me ashpërsinë me të madhe këtë akt të shëmtuar policesk që thyen ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Në Shqipëri ligjet parashikojnë hetimin e pasurive dhe veprimtarisë së çdo zyrtari. Në rastin e gjykatësve hetimi i vendimeve mund të bëhet vetëm nga institucioni kushtetues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në bashkërendim dhe me Ministrinë e Drejtësisë. Kurse pasuria e gjykatësve sipas ligjit hetohet nga ILDKP dhe prokuroria e shtetit.
Kushtetuta dhe ligjet e vendit mbrojnë çdo zyrtar dhe qytetar nga hetimi policesk i pa autorizuar nga prokuror ose gjykatës.
Ngarkimi i policisë me hetimin e vendimeve gjyqësore të gjykatësit është akt antikushtetues banditesk, është marrje nga policia e pushtetit të KLD. Kurse hetimi i paautorizuar nga prokurorë apo gjykatës i pasurive të gjykatësve apo zyrtarëve të tjerë subjekt i deklarimit të pasurive në ILDKP është krim i shëmtuar antikushtetues, është marrje nga policia e pushtetit të prokurorisë dhe gjykatave si dhe ILDKP.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë grusht shteti brenda shtetit iu bëj thirrje:
1-Presidentit të Republikës të ndërhyjë me të gjithë forcën e Kushtetutës dhe ligjit që puçistet të marrin vendin e merituar.
-Prokurorisë së shtetit të vendosë urgjentisht para ligjit Edi Ramën dhe mercenaret e tij të sojit të trafikantit Ardian Çipa, që shkelin ligjet dhe Kushtetuten e vendit
-Qytetarëve shqiptarë që të ngrihemi me guxim për të mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën dhe të hedhim sa më parë puçistët dhe mercenaret e tyre aty ku e meritojnë, në koshin e plehrave!





