Presidenti i SHBA Barack Obama ka deklaruar se retorika anti myslimane nga kandidati i mundshëm republikan për president, Donald Trump, “nuk është Amerika që ne duam”.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë trajtimi ndryshe i amerikanëve që janë myslimanë nuk do e bënte këtë vend më të sigurtë, përkundrazi SHBA do të ishin më pak të sigurta sepse do të forcohej ideja e nxitur nga grupi militant, Shteti Islamik, që thotë se perëndimi i urren myslimanët.

Presidenti amerikan e ka kundërshtuar ashpër premtimin parazgjedhor të

Trump gjatë fushatës ka  premtuar se do të ndalojë muslimanët të hyjnë në SHBA, gjë të cilën kandidati republikan për president e ka përsëritur menjëherë pas sulmit që ndodhi në Orlando.

Por Obama e ka kritikuar ashpër këtë premtim parazgjedhor të Trump. Ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara janë themeluar mbi të lirinë e fesë dhe se në këtë vend nuk ka teste fetare.

Ai ka shtuar se këto debate i bëjnë muslimanët e Amerikës të ndjejnë se qeveria është duke i tradhëtuar ata.

Këto komente të Obamës kanë ardhur pas takimit me këshilltarët e tij të sigurisë me të cilët ka biseduar rreth rrezikut që vjen nga grupi militant ISIS.

Ai gjithashtu është informuar rreth hetimeve që po zhvillohen për sulmin në një lokal nate në Orlando ku një person që ka shprehur besnikëri ndaj Shtetit Islamik ka vrarë 49 amerikanë dhe ka plagosur shumë të tjerë.