Prej disa ditësh ka nisur verifikimi i pasurisë së gjyqtarit Arjan Aliaj. Sipas policisë verifikimi ka nisur pas denoncimeve të disa qytetarëve dhe deklaratave të pasurisë të bëra nga vetë gjyqtari Arjan Aliaj, ka nisur verifikimi për pasurinë e tij. Sipas burimeve nga Policia, verifikimi ndaj tij ka nisur prej disa ditësh nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit.
Gjyqtari Arjan Aliaj po hetohet për veprat penale të “Fshehjes së të ardhurave”, “Mosdeklarim të pasurisë”, “Evazion fiskal”, “Pastrim parash” dhe “Korrupsion”.
Sipas burimeve zyrtare, po hetohet mënyra e kalimit të pronësisë e banesës së tij pasi fillimisht ka qenë e të vëllait, më pas e motrës e tani e gruas së gjyqtarit; pasi kjo gjë ka ngjallur dyshime.
Hetimet janë përqendruar në kontratën e shitjes së vilës, me çmimin prej 10 milionë lekësh të vjetra, dhe në faktin se motra e gjyqtarit, Etleva Galanxhi, ka deklaruar jo atësinë e vërtetë, por e ka ndryshuar atë, nga Çerçiz në Çezar.
Etleva Galanxhi është bashkëshortja e Gilbert Galanxhit, deri para pak kohësh shef i Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Hetimi i nisur kryesisht, vjen në një kohë kur gjyqtari Arjan Aliaj është akuzuar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri se ka liruar vrasës, përdhunues dhe kriminelë.
Gjyqtari Arjan Aliaj u vu në qendër të akuzave, pas vendimit që Aliaj dha për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Policisë, Haki Çako, dhe masës së arrestit në shtëpi, për drejtuesin dhe punonjësin e Njësisë Operacionale Artion Dukën dhe Entio Xhelilajn; për pajisjen e përgjimit.





