Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit, dha një intervistë për “Sky”:
“Për ne, ndeshja kundër Francës do të jetë e rëndësishme. Kemi humbur debutimin me Zvicrën dhe tani do të japim gjithçka kundër Francës. Një kundërshtar shumë i vështirë, por ne shpresojmë që të bëjmë më të mirën. Shpresoj se ekipi ynë e ka kuptuar se nuk kemi asgjë për të humbur. Në qoftë se marrim një rezultat pozitiv, do të mbajmë gjallë shpresat e kalimit të grupit, në qoftë se jo, jemi ende të lumtur që kemi marrë pjesë në këtë kompeticion.”
Kreu i federatës është pyetur edhe në lidhje me të ardhmen e trajnerit De Biazi. Duka ka këtë përgjigje për këtë çështje: “Përpara Kampionatit Evropian kemi vendosur bashkarish se gjatë fazës finale këtu në Francë nuk duhet të mendojmë dhe të flasim për të ardhmen. Dhe, pjesëmarrja në një Evropian është shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Trajnerit De Biazi i kam thënë që në fillim që, nëse merr një ofertë joshëse për karrierën e tij, do ta lëmë të lirë të largohet.”
Por, a është kjo, kombëtarja shqiptare më e fortë se kurrë? Armand Duka ka mendimin e tij, teksa thotë: “Ky është ekipi më i fortë, sepse nuk e kemi marrë kurrë më parë këtë rezultat, kualifikimin në finalet e një Evropiani apo Botërori.”
Kujtojmë se Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë në finalet e “Euro 2016” nesër mbrëma, ndaj Francës, në orën 21:00, në “Velodrome”. Ndeshjen e parë e humbi 1-0 ndaj Zvicrës, ku u paraqit mjaft mirë, sidomos në pjesën e dytë, edhe pse me 10 lojtarë në fushë, pas kartonit të dytë të verdhë dhe pastaj të kuqin ndaj kapitenit Lorik Cana.





