Policia e Greqisë ka shkatërruar sot edhe dy kampe të improvizuara të emigrantëve, afër kufirit të saj me Maqedoninë, ndërsa banorët e këtyre kampeve i ka vendosur në kapacitetet shtetërore, kanë thënë zyrtarët.

Policia në qytetin e Selanikut, që është i dyti për nga madhësia në Greqi, pas kryeqytetit Athina, tha se operacioni po vazhdon për kampet e improvizuara, që janë ngritur afër një moteli përgjatë një autostrade dhe një pompe të afërt të benzinës.

Shumica e emigrantëve janë nga Maroku, Algjeria dhe Pakistani, ka thënë policia lokale. Sipas statistikave të qeverisë, në këto dy kampe afër kufirit me Maqedoninë, gjenden afro 1,900 emigrantë. Dje, rreth 1 mijë njerëz janë zhvendosur nga një kamp i improvizuar, raporton AFP nga Selaniku. /REL