Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar në unanimitet 3 planet kombëtare: Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Planin e Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës, “Durana”.
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, tha se miratimi i planeve shënon fundin e epokës së ndërtimeve informale dhe se procesi erdhi pas konsultimeve të gjera në grupet e interesit.
Plani i Përgjithshëm Kombëtar synon të frenojë zhvillimet kaotike dhe informale në territor për shkak të mungesës së planifikimit dhe të kontrollit të territorit nga pushteti vendor. Gjithashtu do të kryhet edhe një rivlerësim i aseteve të trashëgimisë kulturore dhe të burimeve natyrore.
Plani Ndërsektorial i Bregdetit ka si qëllim zhvillimin e zonave dhe turizmit.
Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës i njohur ndryshe si “Durana”, ka për qëllim krijimin e kushteve infrastrukturore dhe territoriale për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, si një ndër qendrat më të rëndësishme të vendit.





