Anija e opozitës e 42 200 demokratëve të fundit, (votuesit e Grida Dumës) po mbytet në Durrës, dhe bashkë me të edhe shumë shpresa e ideale të demokratëve të Durrësit. Partia Demokratike ka mbetur pa timonier, dhe anijen që fut ujë nga katër anët, dallgët e hedhin e përplasin sa në një cep në tjetrin, deri sa dikush ta tërheqë në breg, ose ta lënë të mbytet. Dhe kjo situatë si e dikujt që vuan në koma prej kohësh, që jep shpirt e nuk merr, që nuk shkon as në botën tjetër e as nuk kthehet të rilindë. Është Partia Demokratike, për aq kohë sa drejtimin e saj nuk e ka askush, e për aq kohë sa me Partinë Demokratike sot të gjithë fshijnë këmbët, si një leckë e pavlerë, si një shtupë që e ka kryer misionin e saj. Dhe të mos harrohet që është forca kryesore e opozitës, e atyre demokratëve të vjetër e të rinj, me parime e me ideale, ata të cilët nuk e kanë braktisur akoma anijen e tyre, si shumë të tjerë në vite një e nga një e në turmë.

Kryetarët e partive sa janë ngjitur në drejtim të partisë e kanë harruar faktin që dyert e atyre selive që përfaqësojnë në fillim iu përkasin qytetarëve e votuesve, e më pas, interesave të tyre të fitimprurëse. Sa më shumë i rrisin interesat e përfitimet personale, aq më shumë e rrudhin elektoratin e tyre. Dy vjet pasi Osman Stafa u zgjodh kryetar i PD-së, forcës më të madhe të opozitës në Durrës, kryetarin e kanë përzënë nga partia, duke i ndërruar bravat e dyerve. Ndërsa elektorati i partisë më të madhe në Durrës është shpërndarë në radhët e partive të tjera kundërshtare. Kjo pasi konfliktet e brendshme, sherret, interesat e mëdha e të vogla, pse jo edhe “konflikte” të sponsorizuara nga partitë e tjera, e kanë çuar PD-në e Durrësit, në buzë të greminës. Analiza e humbjes së zgjedhjeve të 2015-s nuk u bë. Askush nuk e mori përsipër dështimin e zgjedhjeve të radhës në Durrës.      

Anija e opozitës futi mjaft ujë pas zgjedhjeve lokale të 2015-s, e tashmë kjo anije ka mbetur edhe pa një timonier. Pa ceremoni e pa bujë e zhurmë, kreun e PD-së së Durrësit Osman Stafa, e përzunë nga zyra 2 vjet pasi ishte zgjedhur me parimin “një anëtar një votë”. Më 5 qershor, me urdhër nga qendra, u ndërruan bravat e dyerve të selisë së PD-së, dhe Stafa mbeti jashtë dyerve të partisë që drejtonte. Menjëherë pas kësaj situate, e cila ndodh për herë të parë në PD-në e Durrësit, të krijuar 23 dhjetorin e 1990-s, Stafa i është drejtuar për takim kreut të PD-së Lulzim Basha. Prej një jave në takime e kontakte me gazetarët, Stafa thotë se do të takojë Lulzim Bashën për këtë situatë të paprecedentë. Por a e takoi e çfarë i tha Basha, Stafës?

Lulzim Basha po merret me politikën e madhe, si kryeopozitar, por harron që votat e demokratëve një e nga një, vijnë nga baza. Ajo që shihet në opinionin publik e te demokratët është fakti se PD-ja e Durrësit është bërë për t’i qarë hallin. E rrudhur në minimumin e saj historik, forca e parë politike në Durrës, është bërë copa – copa, s’ka vend më as për arna. Osman Stafën e akuzojnë po të tijtë, se është  përgjegjësi i humbjes së zgjedhjeve lokale të Grida Dumës me 15 mijë vota kundrejt Vangjush Dakos, që mori mandatin e tretë. Stafa mund të jetë përgjegjës, por përgjegjësi i parë është Lulzim Basha që solli kandidate Dumën, pa marrë opinionin e bazës durrsake. Dhe në rastin Duma – Dako, durrsakët nuk dinë të falin.

Ferdinand Xhaferri, ish-deputet, ish-ministër, ish-kryetar i Partisë Demokratike të Durrësit, ish-kandidat për kryetar bashkie në mandatin e dytë kundër Vangjush Dakos, ka nisur fushatën për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike të Durrësit.

A do t’ia arrijë ta bashkojë partinë, dhe të shuajë një mijë zëra kundër brenda partisë Xhaferri?