(Ibrahim Basha me motrën e tij, Habiben)

Vëllai e motra e Ibrahim Bashës, oficerit të RENEA-s që mbeti i vrarë një vit më parë gjatë një aksioni në Lazarat, kanë vendosur të vazhdojnë rrugën që ai la në mes.

“Panorama” shkruan sot se ata janë regjistruar, kanë konkurruar dhe kanë fituar shkollën bazë të Policisë, duke vijuar tashmë kursin për Patrullën e Përgjithshme. Habibe Basha, 25 vjeçe, dhe Denis Basha, 21 vjeç, arritën të dalin fitues mes 5 mijë konkurrentëve, duke u renditur në mesin e 300 aplikuesve që aktualisht vijojnë studimet në Shkollën e Policisë.

Motër e vëlla, duke mbajtur edhe premtimin që i dhanë të vëllait pas vdekjes, arritën të dalin fitues në të gjitha fazat e konkursit. Lajmin e bëjnë të ditur kolegët e dëshmorit të Policisë, Ibrahim Basha, të cilët kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me familjen e tij.

Burime nga reparti RENEA thanë se njëra nga motrat e Ibrahimit e kishte shprehur edhe më parë dëshirën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Ajo kishte qenë shumë e lidhur me vëllanë e saj të madh dhe kërkonte me çmos që të ndiqte rrugën që ai u detyrua ta linte në mes.

Ndërsa vëllai i tij, Denisi, ndonëse në një moshë shumë të re, ka vendosur në momentet e fundit, pasi familjarët duket se nuk kanë qenë dakord me vendimin e tij. Megjithatë, të dy u shpallën fitues dhe prej disa javësh vazhdojnë të ndjekin kursin teorik për Patrullën e Përgjithshme, në Shkollën Bazë të Policisë.

Ibrahimi ishte vëllai i 9 motrave, 7 prej të cilave të martuara dhe vetëm i një vëllai, Denisit, i cili ishte edhe më i vogli i familjes, vetëm 20 vjeç, kur ai ra dëshmor në Lazarat.