Byroja e Kuvendit pritet të mblidhet sot pasdite për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike, e cila kërkon përjashtimin e kryeministrit Edi Rama 10 ditë nga Kuvendi.
Kërkesa për përjashtimin u bë nga opozita pas seancës së shkuar plenare, ku demokratët pretendojnë se janë fyer nga kryeministri, i cili iu drejtua me fjalët: “Jeni tufë që do të hani njëri-tjetrin”.
“Në seancë plenare të datës 9 qershor 2016, deputeti Edi Rama nën një sjellje të paprecedentë në sallën e seancës plenare, ka përdorur gjuhë ofenduese dhe jo parlamentare që cenojnë rëndë personalitetin e deputetëve të opozitës. Deputeti Edi Rama i është drejtuar disa herë dhe në mënyrë të vazhdueshme me fjalë fyese deputetëve të grupit parlamentar të PD-së.
Sjellja e deputetit Edi Rama bie ndesh me nenin 62 të Rregullores së Kuvendit dhe në përputhje me pikën 2 të nenit 65 të Rregullores, kërkojmë marrjen e masës disiplinore “Ndalim për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare për 10 ditë” ndaj deputetit Edi Rama”, thuhet në kërkesën e PD-së drejtuar Byrosë së Kuvendit.
Mbledhja pritet të zhvillohet në orën 18:00.





