Federata Shqiptare e Futbollit reagon pas publikimit të një positimi në Facebook gjatë ditëve të fundit ku kryefjalë ishte Xherdan Shaqiri. Sipas asaj që shkruhej, në postim hidheshin akuza të rënda ndaj institucionit të futbollit shqiptar për mosgrumbullimin e Shaqirit me fanellën kuqezi. Gjithsesi, federata ka qartësuar se në këtë rast bëhet fjalë për një profil fals me emrin e sulmuesit të Zvicrës dhe asgjë nga ato që është shkruar nuk është e vërtetë.
“FSHF shpreh keqardhjen që në këtë moment fantastik të historisë së futbollit tonë që po e jetojmë të gjithë së bashku falë djemve të Kombëtares, trajnerit dhe ekipit drejtues të FSHF, një profil fallco në Facebook dhe një status i rremë i Xherdan Shaqirit marrin jehonë përmes portalesh të caktuara duke dëmtuar imazhin e FSHF. Ne vlerësojmë çdo pikëpamje kritike mbi punën dhe nuk mund t’i heqim të drejtën askujt që të mendojë se Kombëtarja duhet të fitojë çdo ndeshje dhe uron që fallcitetet e profileve të rreme në Facebook të mos përfshihen në debatin e shëndetshëm pasi dëmtojnë rëndë Kombëtaren në këtë moment historik. FSHF u është mirënjohëse të gjithë lojtareve të Kombëtares për përkushtimin e tyre maksimal dhe pavarësisht fjalëve që i merr era, ka bërë e do të bëjë vetëm një politikë: Dyer të hapura për këdo sipas meritës”, nënvizon Federata Shqiptare e Futbollit.





