U mbajt sot në Durrës konferenca “Agroturizmi një vlerë e shtuar ekonomike, sociale  dhe mjedisore”- Agroturizmi në Durrës dhe sfidat në shtrirjen e re territoriale.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve kreu i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako shprehu mbështetjen e institucionit që ai drejton në adresimin e politikave dhe projekteve që nxisin zhvillimin e bujqësisë.

“Agroturizmi është veprimtari e re për turizmin dhe bujqësinë. Kemi potenciale për zhvillimin e mëtejshëm. Shumë shpejt do zgjidhim problemet e tokave bujqësore në këtë zonë. Do i japim mbështetje sa më të madhe bujqësisë. Territorit urban të Bashkisë u janë shtuar edhe zonat rurale që janë kurora e gjelbër e saj. Organizimi i ri territorial ka shtuar mundësitë për të pasuruar veprimtaritë tona ekonomike, kulturore , sociale dhe mjedisore. Integrimi më i mirë mes zonave urbane me ato rurale do të rrisë forcën ekonomike të territorit që mbulon Bashkia Durrës. Organizimi i ri do t’i japë një shtysë të re zhvillimit të prodhimit bujqësor dhe blegtoral në territorin tonë. Bashkia do t’ju jetë gjithmonë në krah për përmirësimin e infrastrukturës në përgjithësi, si të asaj rrugore, të ujitjes dhe kullimit, shtimin e marketingut të produkteve bujqësore, rritjen e kapaciteteve të përpunimit, përmirësimit të nivelit të edukimit nëpër shkolla dhe vetë agroturizmit, këtij potenciali të madh që ende nuk është shfrytëzuar plotësisht etj. Veprimtaria me temë agroturizmin është një veprimtari që kompaktëson bashkëpunimin mes aktorëve për mirëmenaxhimin e burimeve natyrore, historike, kulturore, mjedisore dhe njerëzore të territorit tonë. Jam i sigurtë se kjo hapësirë ekonomike do të bëhet një shtëpi e madhe pritjeje për turistët vendas dhe të huaj. Durrësi prej dekadash ka qenë një model i madh në prodhimin bujqësor. Tani në kushtet e ekonomisë së lirë të tregut i kemi të gjitha mundësitë ta gjallërojmë këtë përvojë dhe ta çojmë akoma më tej.

Modeli i madh pozitiv i shkon përshtat Durrësit tonë të bukur me histori mbi 3000 vjeçare. Ne angazhohemi se së bashku do ta bëjmë të tillë, më të bukur, më të fortë, më të dashur si për vendasit dhe për miqtë tanë që i kemi kudo në botë”,-  ka thënë kryebashkiaku Dako.

Të pranishëm në këtë aktivitet që u zhvillua në resortin agroturistik “Agroturizëm Huqi”, në zonën e Radës në Manzë të Durrësit ishin zëvendës Kryeministri Niko Peleshi, ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi dhe ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, si dhe përfaqësues të tjerë të bujqësisë.

Zëvendës Kryeministri Peleshi vlerësoi këtë sipërmarrje si modelin që tregon se bujqesia dhe agroturizmi, po zhvillohen duke kontribuar në rritjen ekonomike te vendit . “Shqipëria ka bërë progres në fushën e bujqësisë. Ndërsa  vendi ka potenciale të mëdha dhe reformat e qeverisë po japin  rezultate për jetën e komunitetit. Rilindja është bashkësia e këtyre mrekullive të vogla në gjithë vendin, vijoi ai, ndërsa vuri në dukje se Shqipëria është vendi i njerëzve të punës, jo fjalëve, por veprave. Ai solli në vëmendje rezultatet pozitive që ka arritur ky sektor ku nënvizoi se kontributi i bujqësise në GPP arrin sot në 19% dhe mbi 50% e popullsisë jeton në zonat rurale. “Misioni ynë është zgjidhja e problemeve. Të vlerësojmë më shumë ekspertët e vjetër. Shqipëria ka bërë progres në rrugën e bujqësisë dhe ajo ka pasuri të shumta, të cilat duhet të shfrytëzojmë potencialet tona. Pa reformë territoriale ne nuk do mund të hartonim strategji që përfshijnë potencialet që i kalojnë kufinjtë e një komune, por i gjejmë brenda kufijve të një bashkie”, -theksoi Peleshi.

Ndërsa, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u shpreh:

 “Qeveria ka dhënë mbështetje për bujqësinë. Martesa më e zgjuar e bujqësinë është ajo me turizmin. Zhvillimi i turizmit, zhvillon bujqësinë. Ky është një model frymëzues që ka tërhequr vëmendjen e zones, por edhe Shqipërisë”.

Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi deklaroi: “Besoj se do të gjenden pafundësisht mënyra për të bashkëpunuar dhe për të nxitur iniciativën, për të kuptuar se ku mund të jenë  sinergjitë midis jush dhe të tjerave të ngjashme si ju por edhe për programe mbështetjeje që vijnë nga qeveria.”

Aktiviteti vijoi me vizitën në panairin e produkteve bujqësore të zones,  të servirura në resortin agroturistik, ne Manzë të Durrësit.