Kryeministri  Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për shtyp pas takimeve që pati me kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe dy ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Kryefjala sigurisht që ishte reforma në drejtësi, dhe sa i përket kontestimit të opozitës për vendet e rezervuara, Rama tha se mund të ketë një zgjidhje. Ndërkohë ai u tregua i prerë për të mos e votuar reformën nëse preken dy institucione. Bëhet fjalë për procesin e vetingut ose ndryshe radiografia etiko-profesionale e çdo prokurori apo gjykatësi. Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelit, Rama tha se nuk negociohen vendet e rezervuara. Sa i takon dy institucioneve të tjera, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe ai i Prokurorisë, Rama tha se është gati të negociojë me opozitën. 

“Të jemi shumë të qartë nëse pika është një rreth kjo pikë, ky rreth ka dy gjysma të ndara me një vijë të kuqe për ne.

Janë 4 institucione të reja, formimi i të cilave do të kalojë përmes Kuvendit.

Dy prej tyre lidhen me vetingun ose ndryshe radiografia etiko-profesionale e çdo prokurori apo gjykatësi.

Bëhet fjalë për komisionin e posaçëm të kualifikimit ku do të kalojë në një filtër shumë të imët me monitorimin ndërkombëtar pasuria dhe vendimmarrjet ndër vite të gjyqtarëve e prokurorëve që do të duan të hetojnë dhe gjykojnë në këtë vend. Kolegji i Apelimit ku ata të cilët kanë pretendime se janë gjykuar jo drejt nga komisioni do të rikalojnë në një filtër të dytë.

Individët që do të përzgjidhen në këto dy instanca do të marrin paraprakisht miratim nga Avokati i Popullit së bashku me një grup ndërkombëtar monitorimi. Pastaj lista e atyre që kanë kaluar këtë filtër do të vinë në Kuvend, ku do votohet për ata që do zgjidhen në këto instanca me shumicë të cilësuar për të shërbyer procesin e Vetingut, për të kryer radiografinë etiko-profesionale të çdo gjykatësi dhe prokurori.

Këto dy institucione janë matanë vijës së kuqe, shumica e cilësuar në këtë rast është vija e kuqe që ne nuk do ta kapërcejmë dhe nuk ka asnjë lloj mundësie për të bërë asnjë lloj mundësie për të bërë asnjë lloj kompromisi me PD.

Dua të jem shumë i qartë, edhe pse në politikë kurrë nuk thuhet kurrë, unë nuk do ta votoj kurrë reformën në drejtësi nëse preket kjo pikë. O do bëjmë reformë në drejtësi ose kurrë mos u bëftë reforma.

Për dy institucionet e tjera, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë të gjitha mundësitë të gjendet një zgjidhje e arsyeshme kompromisi.

E kam thënë dhe po e rinënvizoj, jemi gati të lëvizim dhe nga 2/3 sepse ishte një pozicion ekstrem kompromisi, PD duhet të lëvizë nga vendet e rezervuara dhe zgjidhje ka”, tha Rama.