*Si favorizohet miku i kryeministrit, pronar i kompanisë së birrës
Kampionatin Europian të Futbollit e pritën me padurim shumë lokale në Durrës, duke bërë dhe përgatitje specifike, për të gjithë klientët që do ta ndiqnin. Dhe janë të gjithë lokalet prej hyrjes së qytetit, deri në shëtitoren “Taulantia”, që mirëprisnin eventin sportiv më të madh për Shqipërinë dhe kontinentin Europian. Kjo edhe për faktin se vendi ynë përfaqësohet për herë të parë në këtë kampionat dhe interesi i të gjithë popullsisë ishte padiskutueshëm i madh, për të ndjekur me vëmendje sfidat sportive. Por ndërsa të gjithë baret e lokalet në Durrës, prisnin që të ngrinte siparin ky Europian i veçantë, një kompani birre, biznes afër kryeministrit Rama , la “duarthatë” biznesin në Durrës.
Dy ditë para nisjes së kampionatit, kompania e birrës ngriti kioskat e vendosi karriget në mes të sheshit “Liria”. Vendosi një monitor të madh, ndërsa në mes të sheshit “Liria” ngriti edhe kioskat prej druri ku shërbehet birrë e qofte, e për pasojë mori të gjithë vëmendjen e qytetarëve durrsakë. Të shumta janë ankesat që po ngrenë të gjithë bizneset e Durrësit, të cilët shikojnë se si influenca kryeministrore, bëri që një biznes të ngrihet e 100 të bien! Ky është shembulli tipik, kur një biznes shkatërron të gjithë bizneset e qytetit.
“Fare mirë atë “Festë Miqësie” mund ta promovonin bizneset durrsake, bëheshin bashkë dhe fitmet i takonin bizneseve të qytetit. Por kjo u bë fshehtas, në mënyrë që të mos kishte kohë reagimi nga bizneset”, u shpreh pronari i një bar restoranti të njohur në Durrës.
Ankesat e bizneseve të Durrësit për këtë konkurrencë të pandershme, nuk kanë ku të dëgjohen, për më tepër që në një situatë të tillë, kur e shikojnë veten inferiorë përballë bizneseve afër kryeministrit, nuk ngrenë zë fare, “qepin gojën” dhe as të murmurisin jo e jo. Kjo sepse i druhen sulmeve të njëpasnjëshme nga të gjitha strukturat e shtetit.
Për një muaj, aq kohë sa zgjat edhe Europiani dhe klientela është e sigurt për shokun e kryeministrit biznesmen, aq kohë do të zgjasë edhe festa e miqësisë në Durrës, ose e “ armiqësisë” midis bizneseve durrsake, që mbetën me “gisht në gojë”.
Temë e ditës në Durrës është një shprehje që ka thënë kryebashkiaku Vangjush Dako, se “atë e telefonoi direkt kryeministri Rama, për të firmosur lejen për “Festën e Miqësisë” në sheshin 'Liria'”.
Rama është kryeministër, por kryeministër në Durrës, të gjithë njohin Vangjush Dakon, ky që mori besimin e të gjithë qytetarëve durrsakë, të të gjitha partive e besimeve fetare, me 15 mijë vota më shumë se Grida Duma.
A do ta lejonte Grida Duma në mes të sheshit “Liria” tymin e qofteve dhe ahengun me birra? A do ta lejonte që një kompani, afër kryeministrit, të konkurronte padenjësisht biznesin durrsak?





