Policia Italiane në Kastellanza, në provincën e Varezes, ka arrestuar një 36-vjeçar shqiptar, rezident në këtë komunë, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. I arrestuari është shtetasi Florian Kacaj, i cili u kap nga autoritetet italiane me 82 kg drogë, 80 kg marijuanë dhe 2 kg kokainë të pastër me vlerë 1.5 milionë euro.

Florian Kacaj, i cili mban dhe nënshtetësinë italiane, është pronar i një lokali të sapo hapur më 1 qershor në komunën Kastellanza-s.

Në një konferencë për shtyp, policia italiane ka informuar rreth arrestimit të 36-vjeçarit shqiptar, në datën 11 të këtij muaji. Ka qenë pikërisht situata sociale e shqiptarit, i cili rezultonte prej disa vitesh i papunë, që ka shtyrë hetimin e mëtejshëm mbi aktivitetin e tij.

Falë përgjimeve u zbulua se në garazhin e Florian Kacajt, fshihej lënda narkotike.

Ajo ishte  fshehur në 4 çanta të mëdha dhe e mbyllur në thasë plastike, të kamufluara nga një erë e rëndë vaji mekanik për të mbajtur larg qentë antidrogë të policisë italiane.

Sipas prokurorit italian, ky operacion ka çuar në sekuestrimin më të madh të sasisë së lëndës narkotike në këtë territor, përgjatë periudhës 2015- 2016.