Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, së bashku me zyrtarë të LSI-së i janë drejtuar Kryeministrisë për të takuar shefin e qeverisë, Edi Rama.

Mësohet se takimi po bëhet në kuadër të reformës në drejtësi. Në këtë takim janë të pranishëm Petrit Vasili, Ylli Manjani dhe shefi i kabinetit të kreut të Kuvendit, Sokol Dërvishaj.

Një ditë më parë, Meta takoi kreun e PD-së, Lulzim Basha, në lidhje me reformën në drejtësi. Pas përfundimit të takimit Meta-Basha, kreu i Kuvendit u shpreh se ka siguruar kryetarin e opozitës “për përkushtim maksimal për të garantuar një proces parlamentar legjitim në miratimin e paketës për reformën në drejtësi”.

Ndërsa Basha u shpreh se PD-ja mbështet reformën që ndëshkon krimin. “Ne mbështesim reformën në drejtësi që do të pastrojë drejtësinë nga gjyqtarët e korruptuar. Parakusht dhe i vetmi kusht për këtë do të mbetet moskapja e drejtësisë”, tha ai.