Çdo person që dhuron gjak ka mundësinë të përfitojë falas 14 analiza. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, çdokush që kryen këtë procedurë përfiton falas testimin e gjakut komplet, transaminazat ALT, konfirmimin e grupit të gjakut dhe rezusin si dhe testim për hepatit B, C, HIV, sifiliz dhe citomegalovirus.
Ndërkohë që, nëse kthehesh në një dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si: Glicemia, kreatinemia, proteinemia, kolesterolemia, trigliceridemia dhe feritinemia. Sipas të dhënave të ISHP-së, aktualisht dhuron gjak rreth 0.9% e popullsisë, ndërkohë që numri i dhurimeve nuk është i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat. Sipas statistikave, kemi rreth 9 dhurime gjaku për 1.000 banorë, ndërkohë që nevojat e vendit për gjak janë të mjaftueshme me 20 dhurime gjaku për 1.000 banorë.
Ndërkaq, një shqetësim që ngrenë dhuruesit lidhet me marrjen e përgjigjeve të analizave. Sipas tyre, pavarësisht se gjaku ekzaminohet, nga banka e gjakut merret vetëm një konfirmim me gojë mbi rezultatet, por kjo nuk shoqërohet me asnjë dokument. “Më thanë se gjithçka ishte në rregull, ndërsa kur u kërkova përgjigjet me shkrim, nuk mora asgjë në këmbim”, shprehet një dhuruese në bankën e QSUT-së për “Gazeta Shqiptare”. E në kushtet kur analizat falas për gjakun e dhuruar janë një detyrim ligjor, do të ishte mirë që edhe përfitimet që rrjedhin nga ky akt human, të finalizoheshin për qytetarët.
Dhurimi
Dhurues mund të bëhet çdo person, i cili gëzon shëndet të mirë, peshon 50 kg e lart dhe ka moshën 18-60 vjeç. Megjithatë ka një kategori të caktuar njerëzish të cilët nuk mund të dhurojnë gjak. Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë: Sëmundje kardiovaskulare, sëmundje infektive (si hepatit viral B, C, TBC, HIV, sifiliz), kryer transplante, diabet insulinovartë, sëmundje autoimune, tumore malinje dhe epilepsi.
Gjithashtu, përjashtohen përdoruesit e alkoolit dhe drogës dhe ata që kanë sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi. Ndërkohë që, përjashtim të përkohshëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë: marrë antibiotik ose sapo kanë mbaruar kurën 7-ditore me antibiotik, kollë dhe dhimbje fyti, që kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale brenda vitit si dhe gratë gjatë shtatzënisë, një vit pasi kanë lindur, si dhe gjatë ciklit menstrual. Gjithashtu, përjashtohen ata persona që kanë bërë tatuazh apo pircing në 4 muajt e fundit, që kanë marrë transfuzione gjaku gjatë një trajtimi mjekësor apo ndërhyrjeje kirurgjikale, që kanë bërë një vaksinë, ata që kanë kryer marrëdhënie seksuale të rastësishme, që kanë alergji të ndryshme në fazën akute si dhe ata që kanë kryer ekzaminime endoskopike.
Të interesuarit mund të dhurojnë gjak në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe 4 Banka të dhurimit të gjakut në Tiranë pranë spitaleve të mëdha. Po ashtu mund të dhurohet pranë njësive për mbledhjen e gjakut në 26 rrethe të vendit. Sipas specialistëve të ISHP-së, dhurimi i gjakut nevojitet për gratë me komplikacione gjatë shtatzënisë, si dhe hemorragji përpara, gjatë dhe pas lindjes, për fëmijët me anemi të theksuar që shpesh vuajnë nga malaria dhe kequshqyerja, dhe për njerëzit të cilët pësojnë aksidente dhe u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike.
Gjithashtu, ‘lëngu i jetës’ nevojitet për pacientët me kancer, si dhe në shumë ndërhyrje të tjera kirurgjikale për sëmundje të ndryshme. Në të njëjtën kohë, gjaku është i nevojshëm për njerëzit të cilët janë të sëmurë dhe duan në mënyrë të rregullt transfuzione gjaku, si pacientët me talasemi, me sëmundjen drepanocitare të gjakut, me hemofili, leucemi etj.
Përfitimet nga dhurimi
Çdo dhurues gjaku përfiton këto testime
– Gjak komplet
– Transaminazat ALT
– Konfirmimin e grupit të gjakut dhe rezusit
– Testim për hepatit B
– Testim për hepatit C
– Testim për HIV
– Testim për sifiliz
– Testim për citomegalovirus
Nëse je dhurues periodik, fiton edhe disa ekzaminime shtesë si:
– Glicemia
– Kreatinemia
– Proteinemia
– Kolesterolemia
– Trigliceridemia
– Feritinemia
/Gazeta Shqiptare





