*E drejta e transmetimit kushtoi më shumë se 1.5 milionë euro, kjo pa përfshirë kostot teknike të marrjes së sinjalit ndërkombëtar, kostove të prodhimit të emisioneve sportive dhe programeve të tjera mbështetëse. Pra, në total bëhet fjalë për një angazhim prej më shumë se 2 milionë euro nga ana e “DigitAlb”-it dhe “Top Channel”-it…
Rreth një miliard euro parashikohen të ardhurat që UEFA do të grumbullojë nga shitja e të drejtave televizive. Rreth 150 milionë spektatorë do të ndjekin çdo ndeshje. 230 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë do të ofrojnë transmetim direkt të kampionatit.
Në Shqipëri ndeshjet do të transmetohen nga “Top Channel” dhe “SuperSport”. Transmetimet do të mundësohen nëpërmjet platformës IPKO edhe në Kosovë, që nënkupton se mbulimi do të jetë i garantuar për të dy shtetet. Në total bëhet fjalë për një angazhim prej më shumë se 2 milionë eurosh nga ana e “DigitAlb”-it dhe “Top Channel”-it (e drejta e transmetimit plus kosto të tjera). Përfaqësues të “Digitalb”-it (Eglinor Ramaj, Dritan Shakohoxha dhe Erjola Kokona), në një prononcim për “Monitor” japin më shumë detaje.
“Top Channel” dhe “SuperSport” kanë fituar të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të UEFA Euro 2016, çfarë nënkupton?
Një nga kriteret kryesore për fitimin e tenderit të këtyre të drejtave, të zhvilluar nga UEFA, është mbulimi televiziv sa më profesional i Euro 2016. Ndaj, mbajtja e kësaj të drejte është një përgjegjësi e madhe kundrejt audiencës dhe publikut në tërësi, aq më tepër kur në këtë kampionat debuton ekipi kombëtar i Shqipërisë.
“DigitAlb” dhe “Top Channel” kanë një sërë të drejtash transmetimi lidhur me eventin, ku më kryesoret janë:
– E drejta ekskluzive për transmetimin e drejtpërdrejtë të ndeshjeve. Janë 51 ndeshje në rastin e “DigitAlb” dhe 31 ndeshje në rastin e “Top Channel”-it (5 ndeshje më shumë se sa detyron UEFA për transmetimin pa pagesë).
– E drejta ekskluzive për transmetimin e vonuar (Delayed) të ndeshjeve, po sipas shpërndarjes së mësipërme.
– E drejta ekskluzive për transmetimin e përmbledhjeve ditore të ndeshjeve të zhvilluara.
– Transmetimi i programeve të tjera mbështetëse të eventit, të realizuara nga vetë “DigitAlb” dhe “Top Channel” ose nga UEFA.
– Të gjitha të drejtat e mësipërme shtrihen në çdo teknikë transmetimi: analog dhe dixhital tokësor, satelitor, kabllor, internet, mobile, IPTV, VOD etj.
Gjithashtu, një sërë të drejtash lidhen edhe me fashat reklamuese përpara dhe pas secilës ndeshje të Euro 2016, si dhe së drejtës për të ftuar sponsorë komercialë që mbështesin financiarisht transmetimin kundrejt kohës televizive të vënë në dispozicion për transmetimin e reklamave të ndryshme.
Si zakonisht, zotërimi i këtyre të drejtave shoqërohet edhe me shumë detyrime të përcaktuara nga UEFA, të cilat janë në funksion të mbarëvajtjes së transmetimit dhe promovimit maksimal të eventit dhe vlerave të tij shoqërore.
Kështu, transmetimi i secilës ndeshje apo çdo program tjetër mbështetës ka një format të mirëpërcaktuar nga UEFA, ku evidentohen qartë sponsorët e saj, mesazhet publike që UEFA i përçon audiencës (Fair Play, lufta kundër racizmit etj.), si dhe formati i lejuar për transmetimin e reklamave apo emisioneve mbështetëse në studio. Pra, çdo transmetim bëhet sipas një strukture të detajuar dhe të miratuar nga UEFA.
Sa është kostoja e kësaj të drejte?
E drejta e transmetimit kushtoi më shumë se 1.5 milionë euro, kjo pa përfshirë kostot teknike të marrjes së sinjalit ndërkombëtar, kostove të prodhimit të emisioneve sportive dhe programeve të tjera mbështetëse. Pra, në total bëhet fjalë për një angazhim prej më shumë se 2 milionë euro nga ana e “DigitAlb”-it dhe “Top Channel”-it.
Si do të jetë skema e ndeshjeve që do të transmetohen në “Top Channel”?
Ndeshjet zhvillohet nga data 10 qershor deri në datë 10 korrik 2016. Ndeshje do të ketë vetëm përgjatë 23 ditëve.
DigitAlb do të transmetojë:
51 ndeshje – Total
36 ndeshje – Faza e grupeve 10-22 qershor 2016/ datat 23-24 qershor janë pushim
8 ndeshje – Faza e 1/8 25-27 qershor/ datat 28-29 qershor janë pushim
4 ndeshje – Faza e 1/4 30 qershor – 3 korrik/ datat 4-5 korrik janë pushim
2 ndeshje – Faza e 1/2 6-7 korrik/ datat 8-9 korrik janë pushim
1 Ndeshje – Finale ora 21:00 10 korrik
Po për sa i përket mbulimit nga ana e “SuperSport”-it?
Programacioni në “Digitalb – SuperSport” do të ofrojë një mbulim të plotë, gjatë periudhës së Europianit, duke filluar me fazën përgatitore të Kombëtares sonë, gjatë ditëve të grumbullimit në Austri dhe Francë. “Digitalb – SuperSport”, do të ketë gazetarë në terren, si dhe një studio lëvizëse që do të sjellë gjithçka ndodh, të rejat më të fundit në kohë reale gjatë përgatitjeve të skuadrës Kuqezi. Me një mbulim profesional si asnjëherë tjetër, me pasqyrim në emisionet në “SuperSport” dhe “Sport Neës”. Programacioni do të zgjasë deri në 13 orë transmetim në ditë me emisionet:
- Fans Zone
- Bar Skedina
- Allez
- Allez Show
Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me shitjet?
Qëllimi i “DigitAlb”-it është të pasurojë paketat e abonimit me sa më shumë evente sportive. Kjo vlen si për abonentët ekzistues, të cilët kanë zgjedhur të bëjnë abonime afatgjata, dhe për të rinjtë që do të zgjedhin paketat 12-mujore.
Në vlerësim të abonentëve, të cilët zgjedhin të abonohen në paketa afatgjata, “DigitAlb” e ofron Euro 2016 ekskluzivisht në kanalet “SuperSport” falas. Kjo mendojmë se do të jetë një nxitje për publikun dhe avantazh për “DigitAlb”-in, i cili synon klientë besnikë afatgjatë, të rrisë shitjet e reja dhe po kështu të rikthejë në skemë klientët inaktivë.
Sezoni veror sjell në kanalet “Super Sport” tri evente sportive të rëndësishme botërore: Euro 2016, Kupa e Amerikës dhe Rio 2016. Përveç përfshirjes së këtyre eventeve në abonimet afatgjata dhe Premium është menduar që të ofrohen në një paketë të posaçme, e cila do të mundësojë ndjekjen e të gjitha ndeshjeve dhe garave, duke filluar nga 5 qershori deri më 21 gusht. Qëllimi i kësaj pakete abonimi është përfshirja në skeme e të gjithë formave të mundshme për ndjekjen e eventeve sportive. Kjo paketë është përshtatur më së miri ndaj bizneseve HORECA, të cilët edhe për shkak të sezonit veror janë të tërhequr ndaj shërbimeve cilësore dhe të përshtatshme për publikun.
MONITOR





