Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve në Durrës, ka nisur ndërtimin e mozaikëve me gurë të bardhë në zonën e plazhit, përgjatë gjithë trafikndarëses dhe rrethrrotullimeve. Kryeinxhinieri i kësaj ndërrmajeje Ylli Kapsalidhi, në një prononcim për Durrës Lajm tha se janë për t’u mbyllur edhe disa prej daljeve të rrezikshme si për automjetet edhe për këmbësorët në zonën e plazhit, ku shkaktohen aksidente rrugore.
Bordurat midis palmave në rrugën e plazhit, do të vishen me gurë zalli të bardhë, të mbërritur nga Orikumi.
“ Me një aksion të punëtorëve të kësaj ndërmarrje mblodhëm gurë zalli të bardhë në Orikum. Gjithçka u bë me mjetet tona dhe punonjësit tanë pa ansjë shpenzim. Do të shkojmë deri në fund, përgjatë gjithë segmentit rrugor të zonës së plazhit me mozaikun me gurë të bardhë” është shprehur kryeinxhinieri i Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve.
Kapsalidhi nënvizon se janë disa investime publike që po kryhen aktualisht nga kjo ndërrmarje.
“ Është duke u investuar në sistemin e hapësirave publike në lagjen 6, po punohet paralelisht me mbylljen e kanaleve të rrugëve të hapura nga Ujësjellës-Kanalizimet dhe ndërrmarrjet e tjera. Ndërkohë me zgjerimin e Bashkisë së Durrësit po punohet për pastrimin e kanalit të ujërave të larta ShënVlash- Fshat Rinia, i cili nuk është pastruar prej 20 vjetësh.
K.H.





