Dikur Gary Lineker thoshte, “Huliganët janë një problem i madh për Anglinë”, por për fat të keq ata nuk mungojnë edhe gjetkë. Tani është dhe Rusia në shënjestrën e UEFA-s. Imazhet e baballarëve me fëmijët në krah brenda stadiumit Velodrome të Marsejës kur kërkonin t’i shpëtonin nga dhuna që shpërtheu nga ultrasit rusë në përfundim të ndeshjes me Anglinë, kanë bërë xhiron e botës. Ashtu si dhe imazhet e tifozëve që kërkonin të largoheshin nga sektori i tyre për t’i shpëtuar përplasjeve, kujtuan tragjedinë e Heysel.
Një reklamë më të keqe nuk mund të kishte për UEFA-n, duke qenë se dhuna këtë herë po ndodhte brenda një stadiumi, dhe jo nga froni i luftës në Vieux Port ku përplasjet kishin vazhduar gjatë gjithë ditës, por aty siguria duhej të garantohej nga policia. Ndërkohë kanë shpërthyer polemika të mëdha në lidhje me organizatorët për zgjedhjen e orës 21.00 për zhvillimin e Angli-Rusi kur huliganët e të dyja skuadrave ishin mbushur me alkool përgjatë gjithë ditës. A nuk mund të luhej në orën 15.00?
Në këtë mënyrë UEFA i është futur menjëherë punës duke mbledhur foto, imazhe filmike dhe relacione nga zyrtarët e ndeshjes. Ka nisur një hetim i brendshëm në lidhje me çështjen. Nuk mund të mbyllen sy e veshë pasi është e papranueshme që në Europianin e njëmijë e një kontrolleve tifozët mund të fusin me vete shkopinj e sende të forta në stadium. Rusia rrezikon sanksione shumë të rënda tani por dhe për të ardhmen. Në Angli në valën e indinjatës përballë pamjeve vërtet të turpshme ka nga ata që kërkojnë deri në përjashtimin e Rusisë nga kompeticioni. A mund të ndodhë vërtet?
Në fakt CV e ultrasve rusë nuk e përjashton një mundësi të tillë. Katër vjet më parë, në Europianin Poloni e Ukrainë, Rusia u gjobit me 120 mijë Euro dhe u penalizuar me 6 pikë në kualifikueset e Euro 2016 nga Komisioni i Disiplinës në UEFA, vendim ky që u ngri duke u kthyer me kusht deri në play ofin e eliminatoreve të Euro 2016. Dënimi u dha për sjellje të keqe të tifozëve rusë, si dhe përdorimi i simboleve të palejuara, Rusia është zgjedhur si vendi organizator për Kupën e Botës 2018 dhe në Angli shumë pyesin nëse ishte kjo një zgjedhje logjike.





