4 persona janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Krujës, të akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe “armëmbajtje pa leje” për ngjarjen e ndodhur në dt. 19.01.2016, kur ka humbur jetën shtetasi Fatmir Pula, i cili gjatë një tentative për vjedhje është qëlluar me armë zjarri. Prokuroria e Krujës, për këtë krim akuzon shtetasit Admir Haka, Elton Ceka, Herton Haka dhe Olti Metuku.
Gjithashtu, Prokuroria e Krujës ka dërguar për gjykim edhe shtetasit Hekuran Buci, i akuzuar për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe Aleksandër Haka, i akuzuar për “Moskallëzim krimi” dhe “armëmbajtje pa leje”. Këta të pandehur janë hetuar të gjithë nën masën e sigurisë “arrest me burg”.
Nga hetimi i Prokurorisë së Krujës ka rezultuar se: Me datë 19.01.2016, rreth orës 21.00, në vendin e quajtur Fshati Zezë, Komuna Nikël, është gjendur i vrarë me armë zjarri shtetasi Fatmir Pula, i datelindjes 1971, me banim në fshatin Zezë- Komuna Nikël/Krujë. Gjate kqyerjes së vendit te ngjarjes është fiksuar kufoma i shtrireë në rrugë para automjetit Benz ngjyrë të bardhë me targë AA 471 HG, me plagë armë zjarri, ku pranë viktimës gjendeshin edhe dy thasë të mbushur me shkurre (degë plepi të thata), si dhe janë gjetur dhe sekuestruar në cilesinë e provës materiale një gëzhoje model 56 kalibër 7.62 mm.
Të pandehurit Herton Haka dhe Admir Haka, vëllezër ndërmjet tyre, së bashku me kunatin e tyre Olti Metuku kanë pasur njohje me viktimën Fatmir Pula duke qenë se kanë qenë fqinj të tij në fshatin Zezë të komunës Nikël. Viktima prej disa kohësh kishte marë me qera një lokal bar-kafe me vendndodhje në Kamëz-Tiranë. Duke qenë në dijeni të aktivitetit fitimprurës së viktimës, të pandehurit Herton Haka, Admir Haka, Olti alias (Agron) Metuku në bashkëpunim me lidhjen shoqërore të tyre, të pandehurin Elton Ceka kanë gjurmuar prej mëse një javë para ngjarjes lëvizjet e viktimës Fatmir Pula. Shkak për këtë ka shërbyer një bisedë paraprake e zhvilluar ndërmjet të pandehurve Elton Ceka, Olti Metuku dhe Admir Haka, bisedë e cila ishte përqëndruar te grabitja e shtetasit Fatmir Pula. Biseda u shoqërua me planin për grabitjen e shtetasit Fatmir Pula, plan i cili përfshinte rolin aktiv të të pandehurve Elton Ceka, Olti Metuku dhe Admir Haka. Konkretisht nga aktet rezulton se të pandehurit Herton Haka, Admir Haka, Olti Metuku dhe Elton Ceka ishin në dijeni të plotë të faktit se shtetasi Fatmir Pula kishte një lokal me qera në Kamëz dhe cdo natë rreth orës 20.00 kthehej në shtëpi duke pasur me vete edhe xhiron ditore të lokalit.
Konkretisht në datën 19.01.2016 të pandehurit Elton Ceka dhe Admir Haka, Olti Metuku janë takuar me njeri-tjetrin në Kamëz-Tiranë. Ndërkohë që i pandehuri Olti Metuku në cilësinë e bashkëpunëtorit, ishte ai i cili kishte marë përsipër të sinjalizonte nëpërmjet telefonit lëvizjet e viktimës Fatmir Pula pasi ishte pozicionuar në afërsi të lokalit të viktimës. Pasi janë nisur nga Kamza-Tiranë në të cilën gjendeshin fillimisht të pandehurit Admir Haka dhe Elton Ceka, rreth orës 20.30 i pandehuri Admir Haka i ka kërkuar vëllait të tij, Herton Haka, të nxirrte te rruga në Nikël, armët e krimit së bashku me fishekët përkatës. Këto armë krimi i kishin siguruar ditë më parë, në zbatim të planit të tyre. Ipandehuri Herton Haka ka sjellë armën dhe fishekët në vendin që e kishin lënë për t’u takuar të pandehurit Elton Ceka dhe Admir Haka.
I pandehuri Herton Haka në dijeni të plotë për qëllimin që do të përdorej arma dhe fishekët, në rolin e bashkëpunëtorit në kryerjen e veprës penale ka furnizuar me armë dhe fishekë të pandehurit Admir Haka dhe Elton Ceka, dukë ju bindur instruksioneve të dhëna nëpërmjet telefonit nga ana e të pandehurit Elton Ceka.
Më pas, i pandehuri Admir Haka së bashku me të pandehurin Elton Ceka, i kanë shkuar në shtëpi afërmit të tij (djalit të xhaxhait) të pandehurit Aleksandër Haka duke i kërkuar katër fishekë, ku ky i fundit i ka dhënë katër fishekë armë zjarri të tipit luftarak, por duke mos qenë në dijeni se për çfarë do të shërbenin këto fishekë. Brenda ambienteve të shtëpisë së këtij të fundit kanë krijuar një maskë nga një bluzë, të cilën e kanë hequr nga trupi, por pa i shpjeguar të pandehurit Aleksandër Haka se për çfarë do të shërbente kjo maskë. Gjatë kësaj kohe, i pandehuri Olti Metuku, nëpërmjet telefonit, ka sinjalizuar të pandehurin Elton Ceka, se viktima po fuste karriget brenda në lokal dhe po përgatitej të nisej në drejtim të fshatit Zezë të komunës Nikël. I pandehuri Aleksandër Haka para ngjarjes ka furnizuar me katër fishekë të pandehurit Admir Haka dhe Elton Ceka, numër i cili korrespondon me plagët që i janë shkaktuar viktimës nga arma e zjarrit.
Rreth orës 20.30-21.00 të pandehurit Elton Ceka dhe Admir Haka kanë mbushur thasët me gjethe plepi, të cilat i kishin marë qysh më parë dhe i kanë vendosur në rrugicën, e cila të con te shtëpia e viktimës Fatmir Pula dhe të dy personat nën hetim janë fshehur në një gardh në afërsi të shtëpisë së viktimës, të cilët janë pajisur me dy armë zjarri dhe kanë qëlluar duke shkaktuar vdekjen e shtetasit Fatmir Pula, në momentin që ky i fundit po dilte nga mjeti që të hiqte thasët me gjethe plepi të vendosura më parë.
Pas kryerjes së vrasjes, të pandehurit Admir Haka dhe Elton Ceka kanë shkuar në fillimisht në shtëpinë e të pandehurit Aleksandër Haka, duke i thënë se kishin kryer një vrasje dhe më pas kanë shkuar për t’u strehuar në shtëpinë e personit nën hetim Hekuran Boci, i cili njëkohësisht është burri i motrës së të pandehurve Herton Haka dhe Admir Haka. Në oborrin e shtëpisë së këtij të fundit, konkretisht në një gardh të pandehurit Admir Haka dhe Elton Ceka kanë hedhur në ferra dy armë model 5.
Në folenë e njërës armë u gjet një fishek në folenë e qytës dhe tre të tjerë në gushë. Më pas, i pandehuri Hekuran Boci ka shoqëruar me mjetin e tij në drejtim të rrugës kryesore të pandehurin Elton Ceka, të cilin nuk e njihte me parë, por ja prezantoi kunati i tij Admir Haka si shokun e tij. Ndërkohë që i pandehuri Admir Haka natën e datës 19.01.2016 është strehuar te shtëpia e personit nën hetim Hekuran Boci. Ky i fundit, strehoi në shtëpinë e tij autorin e krimit, të pandehurin Admir Haka dhe ka transportuar në drejtim të rrugës kryesore të aksit Halili-Krujë të pandehurin Elton Ceka me qëllim shmangien e këtij të fundit nga përgjegjësia penale.





