Nis takimi mes kreut të PD Lulzim Basha dhe kryetarit të Kuvendit e të LSI, Ilir Meta për të diskutuar për miratimin e reformës në drejtësi.

Kryeparlamentari Ilir Meta ka qenë i përpiktë, duke mbërritur në orën 11:00 në ambientet e hotel “Rogner”, i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij Sokol Dervishaj.

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka mbërritur rreth 7 minuta më vonë dhe shoqërohej nga nënkryetari i reformës për drejtësi, Oerd Bylykbashi.

Pas dështimit të bisedimeve mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, ka qenë Meta ai që ka ftuar liderin e demokratëve në takim.

Edhe pse ia la në dorë kryeopozitarit formatin e takimit, Meta tha se do të mirëpriste një tryezë me praninë e Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe ekspertëve të huaj, duke synuar kështu një dialog të gjerë.

“I kam dërguar sot një ftesë dhe kërkesë zyrtare kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për t’u takuar me të. Jam fleksibël për t’u takuar në çdo moment që tani, por mundësisht deri të hënën. Sepse përndryshe mund të kompromentojmë proçedurat parlamentare dhe integritetin e Kuvendit”,- është shprehur më herët ai.