Tifozi i flaktë i kombëtares shqiptare për të cilin po flet e gjithë media sportive evropiane është Besmir Limani. Djaloshi me origjinë nga fshati Tatesh i Strugës i cili jeton në Uinthertur të Zvicrës, në një rrëfim ekskluziv për portalin Drini.mk, ka tregur emocionet e tij mbi këtë situatë, duke theksuar se ai bën gjithçka që ndjen për kombëtaren shqiptare, ndërsa promovimi mediatik është një vlerësim i cili e bën të ndihet mirë.
“Sot jam i zhgënjyer sepse meritonim më shumë në ndeshjen ndaj Zvicrës, por ky është futbolli. Kombëtaren e dua dhe do ta mbështes derisa të marr frymë. Përpiqem të ndjek çdo ndeshje të saj dhe ky është një virtyt familjar i imi. Ne jemi shumë të dhënë pas Kombëtares, por edhe flamurit kuq e zi në përgjithësi. Vizatimi i fytyrës me shqiponjën dykrenare është kthyer në një traditë për mua në çdo ndeshje të kombëtares. Atë e realizoj vetë dhe për ta bërë në mënyrën më të mirë humbas rreth 5 orë para pasqyrës duke shfrytëzuar ngjyrë speciale. Nuk duhet të zhgënjehemi kurrë, djemtë tanë e kanë kryer misionin, tani vetëm duhet të festojmë promovimin tonë në arenën ndërkombëtare të futbollit, të tregojmë vlerat tona kulturore fillimisht pastaj edhe ato sportive”- është shprehur Besmir Limani
Fotoja me fytyrën e vizatuar të Besmir Limanit qarkulloi në faqet ndërkombëtare sportive, si ajo zyrtare e UEFA-s, EURO 2016, media si BLICK, media franceze, të gjitha mediat shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe të tjera.





