Në datat 9-11 qershor 2016, në Sofie të Bullgarise u mbajtën punimet e Sesionit të tretë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore (AP e SEECP-së). Në këtë mbledhje Shkjau e përfaqësoi Shqipërinë në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Përgjithshëm për Çështjet Sociale, Edukimin dhe Shkencën e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore.
Shkjau raportoi dhe prezantoi raportin dhe rezolutën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve emigrantë në rajonin e Europës Juglindore. Në fjalën e saj, Shkjau falenderoi dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë anëtarët e këtij Komisioni për miratimin në parim të këtyre dy dokumenteve.
Deputetja Esmeralda Shkjau prezantoi disa nga rekomandimet që përmban raporti dhe rezoluta e përbashkët duke theksuar se: Qeveritë e vendeve tona duhet të ndërmarrin masa të menjëhershme për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe të respektojnë detyrimet ndërkombëtare të ndërmarra dhe u bëhet thirrje parlamenteve që të marrin masat e nevojshme për përmirësimin e kuadrit ligjor për të rishikuar vazhdimisht, dhe për të zhvilluar fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe të të drejtave të fëmijëve, në përputhje me angazhimet përkatëse ndërkombëtare dhe rajonale.
“Raporti ynë dhe rezoluta”, u shpreh Shkjau, “thekson faktin se shtetet pjesëmarrëse duhet të përfshijnë prioritetet e përmirësimin e sistemeve të mbrojtjes së fëmijëve, për të trajtuar edhe nevojat e veçanta të fëmijëve në lëvizje dhe për të siguruar bashkëpunimin e tyre efikas me zbatimit të ligjit dhe sistemin e drejtësisë, me qëllim për të mbajtur përgjegjës të gjitha ato shkelje kryerjen e të drejtave të njeriut të fëmijëve”.
Deputetja Esmeralda Shkjau e përfundoi fjalën e saj duke u bërë thirrje vendeve anëtare që ta votojnë raportin dhe rezolutën për t’i bërë ato si dokumente zyrtare të Asamblesë së SEECP-së. Raporti dhe Rezoluta u miratuan unanimisht nga Kryetarët e Parlamenteve pjesëmarrëse në Asamble.





