Pas afrimit të sulmuesit Jasmin Rraboshta, duket se drejtuesit e Teutës kanë filluar të mendojnë edhe për të tjera afrime. Durrsakët duhet të fuqizohen akoma më shumë, pasi tani i presin ndeshjet Europiane. Teuta ka shfaqur interes për mesfushorin Orgest Gava. Lojtari ishte pjesë e Bylisit në sezonin e kaluar ku u paraqit mjaft mirë, dhe kjo gjë ra në sy të të tjerëve. Tashmë ai është pranë kalimit tek durrsakët pasi elbasanasi njihet mirë nga trajneri Ahmataj, pasi vijnë të dy nga i njëjti qytet. Ndërkohë tek “Djemt e Detit” ai do të gjente edhe ish shokët e tij të ekipit tek Elbasani si Musta, Hila apo edhe Lamçja.
Tashmë pritet të shihet se çdo të ndodhë ditët në vijim, pasi në datën 15 Teuta do të niset drejt Austrisë. Pas disa ditësh stërvitje, skuadra e Teutës do të zhvillojë edhe një test miqësor. Durrsakët do të përballen me skuadrën kampione të Kosovës, Ferronikeli, në një ndeshje miqësore për të parë nga afër gjendjen e lojtarëve. Ndërkohë pas kësaj ndeshje, stafi teknik i Teutës do të lërë pushim të gjithë lojtarët e saj deri në datën 15 Qershor, ditë që do të bëhet edhe nisja për në Austri.
Drejtuesit e skuadrës durrsake, e cila do të marrë pjesë në Europa League, zgjodhën pikërisht këtë vend të freskët për fazën e tyre përgatitore para ndeshjeve europiane. Për10 ditë ata do të stërviten atje, teksa me shumë mundësi do të ketë edhe ndonjë ndeshje miqësore që do të zhvillohet me ndonjë ekip europian, e më pas do të kthehen në Shqipëri për të qenë gati për përballjet në Ligën e Europës.





