Një operacion i madh antidrogë ka çuar në sekuestrimin e 100 kilogramëve kokainë, të cilat ishin fshehur në një ngarkesë me trëndafila të ardhur nga Kolumbia në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë.
Sasia e madhe e lëndës narkotike u zbulua nga strukturat e Administratës së Pavarur të të Ardhurave Publike të Greqisë (AADE) gjatë kontrolleve të kryera të mërkurën. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga zyra e DEA-s amerikane, Agjencia për Luftën kundër Drogës, në Athinë.
Në kuadër të hetimit janë arrestuar gjithsej gjashtë persona, shumica prej tyre me shtetësi shqiptare. Sipas të dhënave paraprake, katër prej të arrestuarve u kapën në ambientet e aeroportit, ku kishin shkuar për të marrë ngarkesën me kokainë.
Dy personat e tjerë u arrestuan në zonën e Maratonës, në afërsi të Athinës. Autoritetet dyshojnë se droga do të transportohej më tej në këtë zonë, ku mendohet se ishte planifikuar të fshihej ose të magazinohej.
Ngarkesa e fshehur mes luleve, e cila kishte mbërritur nga Kolumbia, ishte vënë nën vëzhgim nga autoritetet pas informacionit të marrë për një transport të dyshimtë droge. Kontrolli i specializuar çoi në zbulimin e pakove me kokainë.
Në operacion morën pjesë edhe efektivë të Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar, të cilët ndihmuan në hetimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë rrjetin që qëndron pas transportit të drogës, si dhe për të përcaktuar destinacionin përfundimtar të 100 kilogramëve kokainë. Gjithashtu po hetohet nëse personat e arrestuar kanë pasur role të ndryshme në organizimin, transportin dhe magazinimin e ngarkesës narkotike.





