Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për këngëtarin Jozefin Marku dhe shoferin e tij, Kristjan Nikollin, të arrestuar në lidhje me sulmin ndaj Eduard Kuçit.
Vendimi është marrë pas seancës për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg” për të dy të arrestuarit.
Hetimet për ngjarjen vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të konfliktit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Në kuadër të hetimit, Prokuroria po verifikon edhe përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit, ndërsa është kërkuar një akt-ekspertim për të përcaktuar dëmtimet trupore që mund të ketë pësuar Eduard Kuçi.
Ndërkohë, Kuçi është shpallur në kërkim policor për akuzën e moskallëzimit të krimit. Sipas hetimeve, ai nuk e ka kallëzuar fillimisht ngjarjen në polici, duke e përshkruar atë si një konflikt të shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet.
Në mbrojtjen e tij, Jozefin Marku ka deklaruar pas arrestimit se ishte irrituar pasi Kuçi e kishte ofenduar në rrjetet sociale.
Tashmë, me vendimin e gjykatës për “arrest në shtëpi”, Marku dhe Nikolli do të vijojnë të jenë nën masën e sigurimit personal gjatë hetimeve.





