*Koça: Publiku më ka lënë pa fjalë!
Është 67 vjeç, por nuk i ndahet shpirti nga skena. Për 45 vjet është ngjitur aty, në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, me 200 role në estradë e në teatër, pa përfshirë rolet episodike apo të skeçeve. E ka bërë publikun të qeshë e të argëtohet gjatë. Ka dy vjet që doli në pension, por është aktiv, po njësoj si një aktor i ri. Sapo ka luajtur përkrah kolegëve të tjerë te shfaqja e regjisorit Haxhi Rama, “Hajduti ka shumë duar” dhe pritet sërish që në shtator të jetë sërish me një shfaqje tjetër. Është aktori durrsak Roland Koça, aq i dashur për të gjithë publikun durrsak e jo vetëm. Sapo është kthyer nga premiera e shfaqjes “Hajduti ka shumë duar” që u mirëprit nga artdashësi kryeqytetas, në një intervistë për “DurrësLajm”, rrëfen pa doreza, me sinqeritet e shpeshherë me emocione, jetën artistike, emocionet që ka përjetuar. Si i pati fillesat në lëvizjen amatore, më pas në estradë përkrah profesionistëve, e pjesëmarrja e tij në teatër.
Nga karriget e sallës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, rrëfimi është si një pasqyrë ku sheh vetveten në skenë, nga viti në vit, si është rritur, çfarë ka ndodhur pas atyre kuintave, çfarë ndodhte në pauzat e shkurtra të shfaqjeve. Ata e kanë bërë publikun të qeshë e të argëtohet gjatë, por a janë argëtuar edhe vetë? Këtë 14 maj përjetoi emocione të forta pikërisht në ditëlindjen e tij. “Nuk më kish ndodhur për më shumë se 40 vjet që ta festoja ditëlindjen në skenë. Dikush nga publiku më solli një tufë me lule. Është ngritur e gjithë salla në këmbë e më ka kënduar urimin e ditëlindjes. Më kanë lënë pa fjalë, është publiku që unë e dua, e që pashë se më donte akoma në skenë”.
E kemi parë përkrah Fadil Hasës, Muharrem Hoxhës, Elibet Tiranës, me regjisorët Gjergj Vlashi e Haxhi Rama, për të cilët ruan respektin më të thellë. Estrada ka pasur emra të mëdhenj si Ramazan Njala, Spiro Strati, Haxhi Rama, Aishe Stari, Robi Xhoja, Sandër Pepa, Roland Koça, Fadil Hasa, Elibeti Tirana (Kalebota), Dhurata Sefa, Mirjeta Selimi dhe Muharrem Hoxha. Të gjithë aktorët e teatrit janë me tituj. Mjeshtër i Madh Haxhi Rama, Gjergj Vlashi. Pas vdekjes e mori edhe Ramazan Njala. Titullin “Artist i merituar” Spiro Strati, Fadil Hasa; “Mjeshtre e Madhe” Aishe Stari, Urdhër “Naim Frashëri i Artë” Roland Koça e Muharrem Hoxha.
Aktori Roland Koça u lind në Tiranë më 14 maj 1949 dhe të gjithë aktivitetin artistik në skenën e estradës e ka kaluar në qytetin e Durrësit. Studimet shtatëvjeçare i kreu në qytetin e Durrësit. Më pas përfundon 3 vite në shkollën e mesme gjimnaz te “Naim Frashëri”. Studimet i ndërpreu pasi nisi të pinte cigare dhe i shtrënguar nga masa disiplinore, u detyrua të punojë për të siguruar vetë të ardhurat që i duheshin për të pirë duhan. Aktori i mëvonshëm Koça u punësua në fabrikën e gomës, e cila asokohe ishte bashkë me Gomë -Plastikën. Këtu punoi deri në vitin 1968 që përkon me kohën e detyrimit ushtarak të cilin e kryen në artilerinë bregdetare të Sarandës për tri vite. Ushtrinë, shërbimin e detyruar, e kryen në vitin 1971 duke përfituar një përvojë të konsideruar sidomos në disiplinën e përditshme. Me përfundimin e shërbimit ushtarak rikthehet te fabrika e gomës duke punuar në reparte të ndryshme deri në maj të vitit 1973. Që nga kjo periudhë e deri më tani ushtron profesionin e aktorit profesionist në Durrës. Koça është vlerësuar me “Krenaria e qytetit” të Durrësit dhe urdhrin “Naim Frashëri i Artë” i akorduar nga ish-presidenti Bamir Topi.
K.H.





