Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë ndaj tre të arrestuarve të pak ditëve më parë në qytetin e Elbasanit, të akuzuar se sulmuan me armë punonjësit e policisë.
Sipas prokurorisë, Florenc Çapja dhe Bledar Muça janë të dyshuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë” të efektivëve të policisë. Ndaj tyre, gjykata vendosi masën “arrest me burg”, ndërsa të akuzuarit tjetër, Ardian Çapja, gjykata do t’ia komunikojë masën në spital, ku dhe mbahet nën kujdesin e mjekëve.
Prokuroria thotë se një grup i vëzhgimit policor u sulmua me armë nga pjesëtarë të fisit Çapja, ngjarje për të cilën pati më pas disa të shoqëruar dhe dhjetëra kontrolle të uniformave blu në Elbasan.





