08 Mars 2015 –Apolonia triumfoi 2-1 në përballjen direkte me Teutën duke rihapur garën për mbijetesë, pasi diferenca më "Djemtë e Detit" tashmë është ngushtuar në vetëm 3 pikë ndërkohë që kjo humbje ja komplikon pozitat durrsakëve në tabelën e klasifikimit.

Fakti që suksesi i Apolonisë mund të ngjallte shpresën për mbijetesë kishte ngjallur edhe njëfarë interesi në radhët e tifozëve fierakë, që këtë radhë ishin më të shumtë në shkallët e Loni Papuciut.

Takimi nisi i luftuar, me formacionin e Artan Mërgjyshit që e kërkonte me cdo kusht fitoren, ndërsa "Djemte e Detit" kërkonin të rrezikon sa më pak në prapavijë. Rasti i parë i rrezikshëm u shënua në minutën e 20 në zonën e Apolonisë, teksa goditja me kokë e Bruno Ditës përfundoi shumë pranë shtyllës. 4 minuta më pas Apolonia e ndihmuar edhe nga fati kaloi në avantazh me Amarildo Dimon në zhvillimet e një goditjeje dënimi, teksa krosimi i tij përfundoi direkt e në rrjetë pa u prekur nga asnjë futbollist.

Apolonia shkoi në pushimin mes pjesëve në epërsi të një goli, por Teuta u kthye në fushë në fraksionin e dytë me më shumë iniciativë. Në të 50-ën një krosim i Koreshit nga e majta e sulmit nuk u shfrytëzua nga Cota, ndërsa një minutë më pas tentativa e Uzunit me një gjuajtje të kalibruar u devijua në fundore nga Rizvani.

Mirëpo portieri durrsak nuk mund të bënte asgjë në minutën e 56 pasi talenti fierak Realdo Fili lëshoi goditje të befasishme prirët me portën, me topin që përshëndeti rrjetën. Dy minuta më pas Cakovic i mohoi golin Mirel Cotës, por nuk mund të bënte asgjë në të 81 pas goditjes me kokë të Kotobellit. 2 minuta para pëfundimit të kohës së rregullt Myrto Uzuni humbi një rast të pastër për Apoloninë, ndërsa kartoni i kuq për Kulin ia bëri më lëhtë punën skuadrës fierake në minutat e mbetura të sfidës.

Për Apoloninë kjo ishte fitorja e dytë radhazë nën drejtimin e Mërgjyshit, ndërsa Teuta pësoi humbjen e 6 radhazi, duke i komplikuar edhe më shumë pozitat në renditjen e përgjithshme.