08 Mars 2015 – Lajme të mira për trajnerin e përfaqësues shqiptare Gianni De Biasi.
Kur na ndajnë vetëm tre javë nga ndeshja me Armeninë, italiani i stolit të kuqezinjëve ka marrë sinjale pozitive nga dyshja sulmuese Cikalleshi-Gashi pasi të dy këta futbollistë arritën të shënonin sërish me klubet e tyre respektive. Në fakt Sokol Cikalleshi realizoi golin e tij të parë për vitin 2015, duke i hapur rrugën e fitores Rnk Splitit përballë Slaven Belupos në kampionatin kroat.
Ishte minuta e 34-t e takimit kur sulmuesi shqiptar me një goditje nga brenda zonës e cila pati edhe devijmin e një mbrojtësi kundërshtar mposhti për herë të parë në këtë sfidë portierin e Slaven Belupos. Takimi përfundoi me shifrat 2-0 në favor të Rnk Splitit që me këtë fitore iu largua zonës së ftohtë të renditjes, ndërsa për Cikalleshin ky ishte goli i 7-të sezonal dhe i 6-shti në kampionat. Ndërkohë nga ana tjetër vazhdon të shënojë Shkëlzen Gashi. Këtë herë 26-vjecari shqiptar realizoi një dygolësh në fitoren 3-0 të Baselit ndaj Thun, sukses ky që afron skuadrën e Paulo Sousës akoma edhe më shumë me titullin kampion në Zvicër.
Gashi zhbllokoi shifrat në fund të pjesës së parë pas një asisti të Streller ndërkohë që në minutën e 58-të vendosi në kasafortë fitoren e Baselit duke shënuar golin e 3-0. Ky ishte goli i 16-të për Shkëlzen Gashin në superligën zvicerane dhe i 18-ti sezonal.





