· Organet shtetërore pranë njerëzve për minimizimin e pasojave. Prefekti i qarkut Roland Xhelilaj tregon për “Dyrrah”-un gjendjen më të fundit
DURRËS, 6 mars 2015 – Cikloni i papritur pasdite dhe shirat që nuk pushuan gjithë natën e së premtes, 5 mars 2015, shkaktuan probleme brenda qyteteve të Durrësit, Shijakut dhe Krujës. Rrugët e qytetit bregdetar u përmbytën nga vërshimi i ujërave të kodrave, por që u kulluan me shpejtësi. Në Krujë pati rrëshqitje dherash dhe gurësh, kurse në Shijak vërshimi i Erzenit mbi argjinaturën e re, përmbyti banesa. Kurse më problematike ka qenë situata në zonat rurale të krejt qarkut, ku vërtet, fatmirësisht, nuk pati viktima, por nuk u shmangën dëmet materiale në kulturat bujqësore.
Gjithsesi, organet shtetërore dhe emergjencat civile, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Rolant Xhelilaj, morën masa të shpejta për minimizimin e pasojave dhe iu gjetën pranë banoreve. I pyetur nga “Dyrrah”-u (durreslajm.com), Prefekti Xhelilaj dha një pasqyrë të gjendjes nga shirat e së enjtes, 5 mars 2015 dhe deri në orën 15.00 të së premtes, 6 mars 2015.
KOMUNA BUBQ
Në fshatin Mallkuç dhe Murqinë, si rezultat i shirave të dendur dhe hapjes së portës së liqenit të Bovillës, u përmbytën 320-330 ha toke, të gjitha të mbjella me kultura bujqësore. Numri i familjeve të izoluara nga përmbytjet arrin 34, ndërkaq vetëm në banesën e Vjollca Palukës pati ujë në lartësinë mbi një metër. Në familje të tjera ka dëme në prodhime bujqësore (misër dhe bazë ushqimore: bar i thatë, jonxhë).
BASHKIA SUKTH
Ka pasur furnizim jo të plotë me energji elektrike, sidomos në Kullë, Rrushkull, Hamallaj, hidrovor, ku ndërprerja e energjisë ka qenë me periudha më të gjata.
Kanali i Tonës gjatë natës së 5 marsit 2015 është fryrë jashtë mase dhe për rrjedhojë të mungesës së energjisë në hidrovor (sistemi i pompave), ai ka dalë nga shtrati. Lagjet nr. 6 e 5 janë nën ujë duke shkaktuar përmbytje në toka bujqësore e rrezikuar në disa banesa. Lumi Erzen ka dalë në lagjet nr. 6 dhe 2 dhe në fshatin Rrushkull ku rrezikoi rreth 20 familje, të cilat janë njoftuar të largojnë fëmijët, për t’u dalë përpara situatave të rendura. Ka prani uji në një sipërfaqe të konsiderueshme toke edhe në fshatrat Hamallaj e Vadardhë. Rikthimi i energjisë elektrike më 6 mars 2015, vuri në funksionim sistemin e pompave që po ndihmon në rënien e nivelit të ujit. Emergjenca civile është në terren për monitorimin e situatës, për t’u ofruar ndihmën e mundshme qytetarëve dhe për të evidentuar dëmet e shkaktuara.
KOMUNA THUMANË
Në komunën Thumanë janë përmbytur disa fshatra si Fushë-Derven, Kodër-Derven, Gramëz, Bushnesh e Dukagjin i Ri. Janë përmbytur gati 200 ha tokë bujqësore duke prishur dhe te mbjellat.
KOMUNA ISHËM
Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur rreth 50 hektarë tokë bujqësore, por nuk konstatohen dëme në banesa e gjë të gjallë.
BASHKIA SHIJAK
Lumi Erzen ka dalë mbi argjinaturë dhe ka rrezikuar tri banesa në afërsi të urës, por pa shkaktuar dëme.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





