· Njoftim i çuditshëm i bluve: Kallëzim nga “EMS Albanian Port Operator” shpk në drejtorinë e policisë së qarkut (DPQ) më 5 mars 2015 për një denoncim me shkrim, po në DPQ… më 26 janar 2015!
DURRËS, 6 mars 2015 – “Gallatë” e madhe me Terminalin Lindor, me forcën e sigurisë së Autoritetit Portual Durrës, me drejtorinë e policisë së qarkut mbi vjedhjen e pusetave në territorin “gjerman”.
Nuk kuptohet pse drejtoria e policisë e qarkut jep një njoftim të tillë:
[Të enjten] më 5 mars 2015, ka bërë kallëzim shtetasi A. S. 60 vjeç, banues në Durrës, inxhinier mekanik në shoqërinë EMS [më saktë: EMS Albanian Port Operator shpk, koncesionari i Terminalit Lindor – “Dyrrah”], se më 26 janar 2015 shoqëria EMS i ka dërguar një shkresë DPQ-së [Drejtoria e Policisë e Qarkut] Durrës për vjedhjen e disa kapakëve pusetash brenda në portin e Durrësit.
Del që policia nuk ka vënë ujin në zjarr për denoncimin që ka bërë koncesionari gjerman i Terminalit Lindor qysh më 26 janar 2015 për vjedhje pusetash, pasi komunikata për shtyp nuk jep asnjë informacion.
Nga ana tjetër, një port që ka forcë sigurie, përveç pranisë së policisë kufitare dhe emigracionit, nuk është një gjendje të parandalojë vjedhjet brenda rrethimit.
Tërheq vëmendjen dhe ankesa e gjermanëve, që, ndërsa në Terminalin Lindor nuk lejojnë, me rojat e tyre private, të hyjnë lehtë dhe punonjës të administratës së Autoritetit Portual në Durrës, hykan lehtësisht hajdutët që u vjedhin pusetat apo skrapin e importit.
Info
EMS Albanian Port Operator shpk operon Terminalin Lindor në Portin e Durresit që nga korriku 2013. Terminali përdoret kryesisht për transferimin dhe depozitimin e mallrave rinfuso si minerale, xeheror, qymyr, klinker, skrap, çimento dhe vaj ushqimor. Terminali aktualisht ka dy kalata dhe një shesh depozitimi rreth 200,000 metra katrorë. Është planifikuar një kalatë e tretë me sipërfaqe shtesë depozitimi. EMS APO siguron 16 grejferë për të gjitha llojet e mallrave. Pjesë integrale e Terminalit Lindor janë 1350 metër linjë hekurudhore. Meqenëse terminali ka vinça portualë me kapacitet ngritës nga 15 tonë deri në 27 tonë, përpunohen dhe mallra gjenerale: makineri, profile hekuri, konstruksione çeliku etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





