6 mars 2015 – “Do të kthehem një ditë te Janina, në kampionatin grek”. Bëhet fjalë për Andi Lilën, i cili ka treguar situatën e nderë te Parma në Itali dhe dëshirën e tij që një ditë mund të kthehet te PAS Janina. “Ndihem keq, kur shikoj sesi po shkojnë gjërat. Sigurisht, që një ditë mund të kthehem në Greqi te Janina. E dua atë skuadër, për të cilën kam luajtur për disa vite. Edhe familja ime është e këtij mendimi”, ka thënë kavajasi. Por, i kontaktuar më pas, Lila ka sqaruar se fjalët e tija janë keqinterpretuar disi. “Në fakt ishte më shumë një përgjigje me xhentilesë ndaj gazetarit grek sesa një konfirmim për të shkuar te Janina. Unë kam edhe tre vite kontratë me Parmën, ndaj nuk kam arsye që të mendoj largimin nga Italia”, ka thënë Lila.
Parma është në prag të shpalljes së falimentimit financiar dhe si e tillë, referuar rregullave, do të përfundojë në kategorinë e 4-t në Itali. Për këtë arsye, Lila do të jetë i detyruar që ose të qëndrojë në Itali te kjo skuadër (gjasat janë zero), ose të gjejë një tjetër sistemim, ose të kthehet te Janina. Kjo hipotezë e fundit, e konfirmuar edhe nga vetë lojtari, duket si më bindëse, kjo edhe për faktin se Parma nuk i ka paguar asnjë euro klubit grek për kartonin e Lilës. Lila kaloi në formë huazimi te Parma në janar të këtij viti, kur klubi emilian sapo kaloi në pronësi të biznesmenit shqiptar, Rezart Taçi. Për këtë kalim, Janina do të përfitonte rreth 800 mijë euro, para këto që do të kalonin në arkën e saj në fund të sezonit, pra në muajin qershor.
Vetë Lila kishte rënë dakord për një kontratë 3.5 vite, për një rrogë te 450 mijë euro në vit. Ndërkohë, vetëm për t’u larguar nga Janina te Parma, Andi Lila pranoi në janar që të mos merrte nga klubi grek rrogat e prapambetura (rreth 100 mijë euro). Sakaq, vetë Lila pohon se situata te Parma është e nderë dhe nuk dihet ende nëse lojtarët do të luajnë këtë fundjavë ndaj Atalantës apo jo.
“Kur një lojtar nuk merr rrogën në futboll, por jo vetëm, edhe në zanate të tjera, atëherë do të thotë se kemi një problem serioz. Ca më tepër kur flitet për njerëz që mbajnë familjet me këtë zanat. Fatkeqësisht, kjo është gjendja aktuale te Parma. Nuk luajtëm ndaj Udinezes dhe Xhenoas dhe tani gjendemi në një situatë ku nuk dimë se çfarë të ndodhë. Na është thënë për momentin se do të luajmë ndaj Atalantës dhe uroj që kjo gjë të ndodhë. Unë e kam kaluar dëmtimin dhe nëse do të zbresim në fushë, shpresoj që të debutoj në kampionat me Parmën”, ka thënë Lila.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





