6 mars 2015 – Amfiteatrit antik të Durrësit më në fund pas shumë vitesh, i hapet rruga për zbulimin e plotë të arenës së tij. Dy shtëpitë e ndërtuara mbi arenë, të cilat për vite me radhe kanë mbajtur peng zbulimin e plotë të monumentit, do të shemben.

Vendimi erdhi nga këshilli kombëtar i restaurimeve, duke nisur shpronësimin e kartelave të pasurive me vendim qeverie. Për këtë vendim janë njoftuar pronarët e banesave të cilëve u kërkohet lirimi i menjëhershëm i banesave.

Drejtori Ledion Lako u shpeh se menjëherë pas largimit të banorëve, të cilët kanë rënë dakord me fondin e lëvruar, do të nisë prishja e banesave, proces që do të kryhet gradualisht. Shembja e dy shtëpive sipër arenës është kërkuar prej vitesh nga arkeologë vendas dhe të huaj, pasi vetëm kështu gërmimet për zbulimin e arenës së amfiteatrit antik, do të identifikoheshin më vlerën reale.

Amfiteatri i Durrësit ka nisur të zbulohet në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi, gërmime që zgjatën deri në vitin 1970. Gërmimet që nisën që nga ai vit dhe deri sot kanë bërë që të prishen gjithsej 33 shtëpi në të cilat banonin 50 familje.