NGA BEDRI ISLAMI

Në të vërtetë, e gjithë ajo që po ndodh këto ditë në parlamentin e Shqipërisë, ndërkohë që gjysma e jugut të vendit është nën ujërat e vërshimeve të jashtëzakonshme, të kujton pa dashje atë shprehjen e vjetër që, dikush digjet dhe dikush krihet, por në një përmasë shumë më cinike.

 “Liderët” opozitarë kanë mprehur shpatën e tyre dhe po hedhin në ekranet TV gjithë merakun e tyre, përmes një vajtimi të mortshëm, sikur kanë mbi veten e tyre të gjithë hallet e atyre njerëzve, që kanë mbetur në mëshirën e motit që nuk dihet se çfarë do të sjellë nesër.

Duhet të kesh më shumë se durim dhe qetësi olimpike , ndërsa ke shikuar ujrat mbi tokat e pushtuara e pas pak dëgjon ulërimën e Palokës, Ristanit e një stafi të djegur e të përvëluar, të cilët, në fakt nuk janë asgjë tjetër veçse kopje e keqe e shefit të tyre faktik.

Njeriu i shkretë i dëgjon dhe mendon me vete” nga kanë ardhur këto njerëz, nga kanë zbritur, janë jashtëtokësorë apo kanë dalë nga zgafellat e galerive? Në të vërtetë ata kanë dalë nga zgafella e së keqes dhe ende nuk janë çngjyrosur nga e zeza që kanë marrë me vete.

Ne kemi një opozitë të çuditshme dhe një mazhorancë, nervi politik i së cilës, duket sikur është përmbytur së bashku me ujërat. Ne kemi një opozitë, e cila shumicën e kohës në këto 24 vite ka qenë në pushtet dhe ka qeverisur me dorë të hekurt, duke shkatërruar gjithçka.

Ajo që ndodh sot nuk është asgjë tjetër veçse hakmarrja e teorive të tyre mizore, të njohura si teoria e nivelit zero dhe e çekut të bardhë. Të mishëruara në një koncept zgjedhor edhe më tej se budalla: “ne qeverisim, bota na ndihmon” (!!)

Për të ndrequr dëmet e 20 viteve të fundit që janë bërë në sistemin kullues dhe vaditës të vendit sot duhen më shumë se 2 miliardë euro. Për të vënë në punë me kapacitet të plotë të gjithë sistemin tonë kullues duhet edhe qindra milionë euro të tjera. Për të ringritur bujqësinë, të cilën e dogjën sipas parimit demokratikas të tokës së djegur, janë dashur disa miliarda dollarë. Për industrinë e shkatërruar, të dërmuar dhe të kthyer në gërmadhë skrapi, ende nuk dihet se në cilat vlera kolosale është humbja.

Një sistem arsimor i bastarduar, ku blihet diploma ashtu si blihen fiqtë në pazar, ku lulëzojnë “plantacionet” e mohimit të vlerave, dhe, mjerisht, në të cilin figura e një mësuesi është bërë në shumë raste e njëllojtë me atë të një bakalli.

E gjithë kjo filloi me teorinë famëkeqe të teorisë zero, pra të nisjes nga niveli zero, dhe pas këtij koncepti politik mediokër dhe antishqiptar, ata që nuk kishin qenë pjesë e asnjë udhe, iu vërsulën gjithçka që mund të digjnin, që mund të vidhni dhe të shkatërronin. E vlefshme ose e pavlefshme të ishte, rentabël apo jo rentabël. Degët e industrisë i shkapërderdhën në dhjetra koncensione mafioze, sa që u bënë kthina vrasjesh dhe lufte klanesh.

Do të ketë nga ata që do të shpejtojnë të thonë se industria jonë nuk ishte përfituese. Vërtet? Në Shkodër ishte dikur një uzinë që quhej e prodhimit të telave dhe të kabllove. Kishte një strukturë moderne, drejtohej nga një figurë nga më të nderuarat dhe autoritare në këtë qytet të lashtë, Terezina Marubi, bijë e Marubëve të famshëm. I gjithë prodhimi i bakrit në Shqipëri bëhej në një cikël të mbyllur, që nga nxjerrja e mineralit, përpunimi e deri tek telat dhe kabllot. prodhimi shitej në 81 vende të botës. Pra, jo vetëm në vendet e kampit socialist apo vetëm me klering. Disa mijëra punëtorë e specialistë ishin aty. Maqineritë e fundit ishin të vitit 1988, austriake. Çfarë u bë me të gjithë këtë? Tani ajo është njëra ndër gërmadhat e qytetit, pjesë e asaj që ishte dikur.

Teoria zero apo e çekut të bardhë, e injektuar nga njerëz të politikës së mërguar shqiptare, përmes dishepujve të tyre financiarë, nuk ishte thjeshtë një shashkë për të marrë pushtetin. Kushdo e dinte se në vitin 1992 PD-ja do të vinte në pushtet.

Ajo ishte një gjetje politike për të dërmuar një komb nga të gjitha strukturat e tij, që nga gjuha shqipe e deri tek ringritja e kriminelëve të luftës në atdhetarë dhe liderë historikë; që nga shprishja e dhjetra instituteve shkencorë e deri tek kthimi i dijeve në plaçkë të llojit “gabi”; që nga sjellja në skenën politike të një taborri të devalvuar nga çdo ndjenjë njerëzore e deri tek ngritja e një sistemi mafioz në politikë , përmes së cilit mund të sundohet më lehtë financiarisht.

Tek njerëzit u zgjuan ëndrrat e pasurimit përmes një çeku të bardhë, i cili ishte gati të nënshkruhej pasi të kishte ardhur në pushtet opozita, dhe, pas saj, njerëzit do të gjenin parajsën. Në të vërtetë, klasa politike e atyre viteve e, po kështu, edhe e tashme, e ka gjetur “çekun e bardhë”, por pas vetes kanë lënë një përmjerim kolosal.

Në natën e trazuar kur po prishej qeveria e parë e stabilitetit, njëri ndër ministrat e deleguar nga PD-ja, në thelbin e zemërimit të tij, pasi ai ishte një njeri që kishte ngritur hidrocentrale, tha se “pas kësaj nate unë shoh gjak”.

Ishte një profetizim fatal, por kishte qenë i saktë. Ata që sollën gjakun, janë ende aty, në sallën e parlamentit. Ata që janë fajtorët e vërtetë të këtij dërrmimi që i është bërë vlerave të një kohe ku ishin pjesë edhe prindërit e tyre, janë po aty.

Asgjë nuk kanë mësuar nga ajo që ka shkuar. Në vërshimin e ujërave nuk shohin fajin e tyre të jashtëzakonshëm, një faj tragjik që nuk do e kishte bërë asnjë sundues i huaj, sado i pamëshirshëm të kishte qenë ai. Ata shohin vetëm, mundësinë për të qenë edhe një herë në pushtet. Jam i bindur se mjaft prej tyre, sidomos shefi i tyre, do të kishte dashur të gjithë Shqipërinë të përmbytur, vetëm për të ardhur në pushtet, qoftë edhe një ditë më parë.

Vërshimet ndodhën edhe një herë, dhe si thonë njerëzit e letrave, kjo ndodhi pas 50 viteve. Nuk ndodhën, si tha në vërshimet e Shkodrës, shefi i opozitës, asaj kohe shefi i qeverisë, se kishte ndërruar pozicionin e saj hëna… Ato ndodhën sepse ne kishim në pushtet një klasë politike të zvetënuar, arrogante e të paditur, përfituese e gërryese, të cilët , si një “hënë” e stërmadhe, por edhe e përgjakur, bënë këtë që po ndodh edhe sot.

Megjithëse, si në përrallat e hershme , krokodilët janë kthyer në zhapinj, ata kanë ende forcën të sjellin helmin e ndasisë, duke dashur të marrin përsipër rolin e dashamirësit.

Në fillimin e këtij shënimi shkrova se ne kemi një mazhorancë, nervi politik i së cilës duket sikur është përmbytur bashkë me ujrat. Nuk e shkrova rastësisht këtë. Mora shkas nga një shkrim i botuar në DITA nga gazetarja Mira Kazhani, “je suis… indiferent”.

Në të vërtetë ne jemi një popull disi i ftohtë ndaj dhimbjes. Nganjëherë e kemi të jashtme atë. Mirëpo, ndërsa njerëzve të zakonshëm edhe u falet, atyre të politikës, jo. Sepse ata nuk janë vetëm vetja, janë më shumë se kaq. Atyre nuk u falen dy gjëra: të sjellin në parlament , shkurt, ashpër e saktë, gjithë marrëzitë që janë bërë nën qeverisjen dërmuese e të keqe berishiane; jo për të justifikuar shirat e sotëm, por për të ngritur një pritë të së nesërmes, që mos të ndodhë edhe me to. Kjo është më e pakta.

Ajo që është më rëndësishme është të kuptohet se ujërat kanë përmbytur një pjesë Shqipërie, dhe kjo do të thotë se “ujërat” ndjehen në të gjitha anët. Mazhoranca e sotme nuk është si ajo e djeshmja; po je me mua, hip, nëse nuk je me mua, zbrit se të vrava. Shumë nga deputetët, qoftë edhe të zonave veriore, janë njerëz me resurse të njohura, jo vetëm politike, por edhe ekonomike. Ata kanë pranë vetes po ashtu lobistë që i ndjejnë hallet, por dikush duhet t’i trazojë në qetësinë e tyre.

Nëse kemi sot opozitarë që ndjehen të gëzuar se përmbytja ndodhi në bastionet e socialistëve, dhe ky është shëmtimi më i madh politik, mazhoranca duhet të dëshmojë se e ndjen veten kudo në shtëpinë e saj. Le t’i lënë për më vonë donacionet për zgjedhjet e ardhshme. Dhe të dalë nga “ujrat”. Në parlament të krijojë dallgë, në fushat e përmbytura të ndalojë dallgët.

Mos mendoni se toleranca juaj do të zbusë inatçinjtë pëdë-istë. Në të vërtetë ata nuk janë të zemëruar, ata ndjehen mirë nëse përmbytet edhe gjysma e këtij vendi, të cilin ata e kanë përmbysur disa herë vetë, thjeshtë e vetëm për të qenë edhe më të pasur, edhe më cinikë edhe më antinjerëzorë. Ata sollën në këtë vend teorinë e sheshimit, fshehur pas zeros së pafundme dhe mashtrimit të një çeku të bardhë.

Në jugun e vendit është në jetë një tragjedi. Në parlament vihet në skenë një komedi politike. E dhimbshme, por njëkohësisht mjerane. Po bëjnë sikur qajnë, ata që brenda vetes qeshin, edhe kur këtë popull e kanë bërë të ulërijë nga dhembja.

http://www.gazetadita.al/po-bejne-sikur-qajne-ata-qe-brenda-vetes-qeshin-edhe-kur-kete-popull-e-kane-bere-te-ulerase-nga-dhimbja/