DURRËS, 4 shkurt 2015 –  50 vjet më parë në qytetin e Durrësit u përurua godina e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për qytetin bregdetar, që në atë kohë numëronte rreth 60 mijë banorë. Teatri i dramës dhe estradës ishin themeluar kohë më parë, përkatësisht në vitin 1953 dhe në vitin 1960, por artistët profesionistë dhe spektatorët takoheshin në sallën e kinoteatrit, e cila ishte adoptuar në godinën e një familje durrsake të shpronësuar, aty ku për shumë kohë më pas ishte kinema “14 nëntori”.

Projekti i ndërtesës së teatrit ishte përgatitur nga Valentina Pistoli, një arkitekte me përvojë 10-vjeçare, që ishte diplomuar në Sofje (Bullgari), dhe që më vonë do të ndërtonte edhe hotelin 15-katesh “Tirana”. Bashkëkohësit kujtojnë se arkitektja e re i ndiqte nga afër punimet që po realizoheshin nga kantieri nr. 1 i Ndërmarrjes së Ndërtimit (NSHN).

MODIFIKIMI

Por në një qytet me 3 mijë vjet histori, ndërtimi i një godine madhore nuk ishte punë e lehtë. Punimet u ndërprenë vetëm disa muaj pas hapjes së themeleve-kujton arkeologu Fatos Tartari. Drejtori i muzeut arkeologjik Vangjel Toçi, një nga figurat më të nderuara edhe sot në qytetin e Durrësit, nisi sondazhet që zgjatën disa muaj dhe që i ndryshuan dukshëm planet e arkitektes Pistoli dhe të ndërtuesve. Në pjesën e pasme të godinës u zbuluan elementët e Termave (banja) të periudhës romake, shekulli 1-2 I erës sonë. 

Tartari kujton se arkeologu Vangjel Toçi arriti t’i bindë realizuesit e godinës që pjesa fundore e saj të ngrihej mbi kolona betoni. E gjithë pjesa poshtë ndërtesës do të kthehej në një stacion të rëndësishëm arkeologjik, Termat, ku dallohen lehtë Tepidariumi, Frigidariumi, e Caldariumi, pra banjat me ujë të vakët, të ftohët dhe të nxehtë. I gjithë monumenti dukej se ishte shfrytëzuar 1900 vjet më parë si një vendtakimi, në të cilin bisedohej shumë më tepër se sa për thjesht shëndetin e banorëve të qytetit. Kureshtarët durrsakë mbajnë mend në vitin 1965 shkëlqimin e pllakave bardhë e zi të Termave, që përshkoheshin nga poshtë nga një sistem tubacionesh me avull të nxehtë. Shkëlqim që 50 vjet më vonë ka humbur, me gjithë përpjekjet për ta rikthyer monumentin në gjendjen e tij të parë.

NJË FTESË E VOGËL

Menjëherë pas ngritjes së kolonave punimet e ndërtimit u përshpejtuan dhe pajisja e teatrit nisi paralelisht me rifiniturat e fundit ndërtimore. Sistemi i ndriçimit dhe të gjitha komandave të skenës ishte porositur kohë më parë në Gjermaninë lindore. Aparaturat kishin mbërritur, por specialistët gjermanë nuk u lejuan. Montimi u bë nga mjeshtrit vendas dhe sistemi ka mbetur i paprekur e punon njëlloj si gjysmë shekulli më parë. Mbi skenën, ende të papërfunduar, dy rrobaqepëse të moshuara, Didi Kabashi dhe Egla Xhako përgatisnin në makinë perden e madhe të siparit, që do të ngrihej për herë të parë zyrtarisht më 4 shkurt 1965.

Një ftesë e vogël me përmasa më tepër se modeste, 10 x 6 cm ruhet nga arkivisti Luan Jaupi dhe ka mbetur si dokument i datës, që njihet si dita e parë e punës së institucionit më të madh të kulturës ne qytetin nr 2 të vendit. Regjisori Gjergj Vlashi kujton se shfaqja e parë në Teatrin “Aleksandër Moisiu” ka qenë një koncert festiv, me këngë, recitime e ndonjë fragment dramatik. 

Ndërkohë askush nuk kujton se në ditën e përurimit ishte dhe diktatori Enver Hoxha, i cili shkruan në ditarin e vet: “E enjte, 4 shkurt 1965. Sot Durrësi inauguron pallatin e ri të kulturës “Aleksandër Moisiu”. Nexhmija [Hoxha – “Dyrrah”-u] shkoi atje që në mëngjes. Pasdreke, në orën 17: 30 vajta edhe unë për të parë pallatin dhe për të asistuar në shfaqje. Mbas vizitës biseduam me arkitekten e veprës, shoqen [Valentina – “Dyrrah”-u] Pistoli. Pallati i kulturës është ndërtuar shumë bukur, me shije artistike. Salla e shfaqjeve ishte shumë e këndshme, e ndriçuar bukur, e hijshme, me skenë të bollshme dhe me akustikë të mirë dhe e tëra të ndjenjën e intimitetit, të një salle të lehtë pranverore. Dhomat, sallonet dhe ndarjet e tjera janë gjithashtu shumë të mira dhe mjaft të bollshme. Përgëzuam ndërtuesit, i uruam durrsakët dhe i këshilluam ta mbajnë mirë, pastër dhe ta shfrytëzojnë si duhet.

Pamë shfaqjen. Edhe kjo ishte e bukur. Aktorët profesionistë dhe diletantë interpretuan mirë. Durrësi ka mundësi ta përmirësojë e ta zhvillojë më shumë artin, dhe besoj se shokët drejtues të këtij rrethi do të punojnë për ta gjallëruar jetën artistike të qytetit.

Pallati mban emrin e artistit tonë të madh, Aleksandër Moisiut. Të bëjmë, pra, që teatri i Durrësit ta meritojë plotësisht emrin e bashkëpatriotit tonë me famë botërore.”.

MË VONË

Emrin e artistit të madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, teatri e kishte marrë para disa vitesh, kur ende ndodhej në ndërtesën modeste të Haverikëve. 

Në hyrje të saj ndodhej një bust i Moisiut, i punuar nga një autor italian, – kujton Gjergj Vlashi. Ndërkaq, në hyrje të teatrit të ri vazhdon të qëndrojë edhe sot monumenti kushtuar Aleksandër Moisiut, vepër e skulptorit Kristaq Rama.

Godina e re e konceptuar me dy funksione u bë shumë shpejt pikë referimi, jo vetëm për profesionistët e skenës, por edhe për amatorët. 

Në janar të vitit 1968 artistë amatorë e profesionistë së bashku i dhanë jetë operës “Bijtë e Skënderbeut”, kompozuar nga Abdulla Grimci me libret të Matish Gjelucit. Ishte një sprovë e madhe, që nuk do të kalohej dot në një skenë të improvizuar si ajo që qyteti kishte lënë pas krahëve. Brenda ndërtesës së re gjallonin dy institucione: pallati i kulturës, i cili kujdesej për koordinimin e lëvizjes amatore në shkallë rrethi dhe drejtoria e teatrit, ku përfshiheshin trupat profesioniste të dramës dhe të estradës. Ishin dy nga trupat më të mira të vendit, çka e provojnë çmimet e shumta në festivalet dhe konkurrimet në shkallë kombëtare.

/red. th. m. Kontribuoi Gëzim Kabashi/