Nga Gjergj Thanasi
DURRËS, 3 shkurt 2015 – Kryeministri Cipras, ndonëse armik për vdekje me Xhorxh Papandreun, mikun dhe mentorin e Kryeministrit Rama, ka vendosur të kopjojë një sërë gjestesh e gjetjesh propagandistike të Kryeministrit Rama. Disa nga recetat e “guzhinës” së Fugës dhe Kempëbëllit (Campebell) po adoptohen me ngut nga administrate Cipras. Rama pa hyrë mirë në Kryeministri në kuadrin e rikonstruksionit të ndërtesës nga një donator privat, që nuk dëshiron publicitet, hoqi gardhin dhe kangjellat e sigurisë përqark ndërtesës së Kryeministrisë. Të njejtën gjë bëri edhe Cipras në Greqi duke hequr pengesat rreth ndërtesave qeveritare në Sheshin Syntagma, pengesa këto të vëna kundra demostratave të dhunshme.
Rama u përpoq nëpërmjet ministrit Tahiri të shpërbënte Repartin RENEA, sepse ekzistenca e një reparti të tillë në “epokën” Rama konsiderohej si e panevojshme. Ndërhyrja e faktorit të huaj diplomatik, të cilin Kryeministri Rama e dëgjon ende mjaftueshëm, e shpëtoi RENEA-n nga shpërbërja.
Kujtojmë, që RENEA në dallim nga Garda e Republikës, nga elementë të repartit special GOS dhe policët privatë në 21 janar nuk i leu duart me gjak as me plumba e as me dajak. Ka pamje filmike, që tregojnë anëtarë të RENEA-s, që marrin në mbrojtje demostrues adoleshentë, militantë të FRESH-it, kur ata rrihen nga element të GOS-it apo edhe nga cvilë të armatosur me pistoleta Beretta e Makarovë.
Prapëseprapë, Kryeministri Rama u përpoq t'ua shpërblente djemve të RENEA-s këtë qëndrim sa profesional, aq edhe human duke i lënë pa punë. Cipras me urdhër direkt ka çarmatosur repartet speciale të policisë greke, që janë të specializuar për ndërhyrje kundër turmave dhe për neutralizimin e elementëve të dhunshëm. Në radhët e eshaloneve të larta të policisë greke një urdhër i tillë ka shkaktuar indinjatë dhe habi.
Masa e çarmatosjes së forcave special të policisë greke, kur janë me shërbim do prekë si anëtarët e njësiteve D.A.E.E.B (Diuthynse Antimetopises Edikon Eglematon Vias) edhe anëtarë të njësisë elitë E.K.A.M (Eidiki Katastaltike Antitromokratike Monada). Gjithsesi urdhëri i Kryeministrit zor se mund të zbatohet për trupat e E.K.A.M.-it, sepse natyra e punës së tyre e bën të domosdoshëm armatimin special përtej pistoletës së zakonshem të shërbimit.
Në nivel koloneli të policisë së Atikës është përhapur shqetësimi për një tjetër kopjim të “gjesteve” Made in Rama nga kryeministri Cipras.
Sot prezenca e policeve femra në rradhët e policisë greke është e ulët, krahasuar me mesataren europiane. Përgjithësisht femrat police janë në role prapavije apo kur duhet të trajtojnë si të ndaluar e të shoqërojnë dikë të seksit femër. Femra police në patrullim në rrugë është diçka e rrallë madje edhe në metropolet Athinë e Selanik, pa folur për qytete e qyteza greke.
Sipas burimeve nga radhët e oficerëve madhorë të policisë greke, projekti Cipras parashikon rritjen e numrit të femrave police duke synuar, që në një të ardhme të afërt të arrijë në 50% të efektivit, pak a shumë si synimet e binomit Rama-Tahiri në Shqipëri.
Kryeministri Cipras duke kopjuar formulën shqiptare të zëvendësimit të tropojanëve dhe kusianëve me tepelenas dhe mallakstriotë, ka shqetësuar oficerë madhorë të policisë greke me projektet e tija për të rekrutuar në polici element pranë SYRIZA-s, vecanërisht militantë të dhunshëm të saj, kryesisht pinjollë të kryengritësve të EAM-it apo të demonstrataxhinjve të Universitetit Politeknik të Athinës të vitit të largët 1973.
Vendosja në krye të ministrisë së Rendit si Ministër plotësues për Rendin Publik dhe Mbrojtje e Qytetarëve të z. Janis Panousis, i njohur për lidhjet personale me segmente të dhunshme të së majtës ekstreme greke, ka shtuar dyshimet dhe shqetësimin në rradhët e kuadrove komandues të policisë greke.
Kryeminstri Cipras nuk mund të ketë luksin e Kryeministrit Rama për të bërë eksperimente populisto-propagandistike, me hije nepotizmi e kronizmi me rekrutimet në polici, apo me organigramën e policisë greke. E djathta greke nuk është langaraqe si e djathta shqiptare, që në maksimumin e vet ka ofruar një major, Abaz Kupin, një Vizhdan Bej Risili apo edhe një Shaban Memi.
E djathta greke ka pasur edhe Mareshal Papagos, edhe kolonel Papadopulos. E majta greke ka paguar një faturë të përgjakshme që nga dhjetori i vitit 1944 nga kjo duart e kësaj të djathte serioze, “business like” greke. Faturë që ka vazhduar në vite, me internime në ishuj, me pushkatime si psh. pas rebelimit marksist të ekujpazhit të destrojerit Velos, apo pas aktit terrorist të komunistit Panagulis. Ndërsa e majta shqiptare maksimumin e faturës, që ka paguar ka qenë ndonjë shkop gome apo një cikë gaz CS në surrat.
Nuk është çudi që establishmenti ushtarako-policor grek t’i përgatisë ndonjë surprizë Kryeministrit Cipras gjatë muajvë të verës, nëse ai do vazhdojë të kopjojë masat dhe gjestet e Kryeministrit Rama. Çami i zgjuar dhe trim Cipras, tashmë duhet ta dijë që Shqipëria ndryshe nga Greqia ka ushtri, polici dhe shërbim sekret vetëm formalisht, prandaj edhe Kryeministri Rama ka luksin e jashtëzakonshëm për të bërë gjeste të tilla, sa populiste aq edhe teatrale.





