• Është një ngjyrë e përzemërt, elegante, tërheqëse, universale

3 shkurt 2015 –  Ka filluar të shfaqet që këtë vit në pasarelat e modës dhe gardërobën e vipave. Është e thellë, e ëmbël, provokuese, joshëse, dehëse. Është një ngjyrë e veçantë, një tonalitet i vishnjës, i cili më shumë ka pigmentin e verës së kuqe. Pra, diçka mes ngjyrës vishnjë dhe të kuqes së gjakut.Marsala quhet ndryshe tonaliteti që do të ngjyrosë të gjitha pasarelat dhe shtëpitë e dizajnit gjatë vitit 2015.

Kloe Kardashian, në mars, në festën e Elton John, Blake Lively në maj, në Kanë, Zoe Saldana, Miranda Kerr apo edhe emra të tjerë e kanë nuhatur para kohe ngjyrën e 2015-ës. Por jo vetëm të huajt.

Këtë ngjyrë e kanë përqafuar edhe personazhet e njohura shqipare. Në ceremoninë e përurimit të librit të Blendi Fevziut, edhe Elvana Gjata kishte veshur një pardesy me ngjyrë vishnjë të shkëlqyeshme.

Magjia e saj nuk qëndron tek ngjyra, por tek refleksi që jep, pasi shpeshherë duket si e kuqe gjaku dhe herë të tjera si ngjyra e verës. Natyrisht, tonaliteti i Marsala-s nuk është i ri në tapetin e kuq. E kuqja e verës është ngjyra e preferuar që është ndjekur për shumë kohë dhe vite.

Është ngjyra që pasuron mendjen, trupin dhe shpirtin, duke nxitur vetëbesim dhe qëndrueshmëri, sipas emrave më në zë të modës.

Brenda vishnjës vijnë po ashtu edhe linja me aksesorë; ҫanta dhe portofolë, por edhe këpucë.